TA NJOHIM POETEN, XHEMILE HOXHA-ALIU

TA NJOHIM POETEN, XHEMILE HOXHA-ALIU

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Për këtë biografi më ndihmoi poetja Xhemile Hoxha-Aliu, për çka i falenderohem)
Xhemile Hoxha- Alium është lindur më 10 mars 1956, në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit. Dy vjet të shkollës fillore i kreu në Shkollën e fshatit Korroticë të Ulët (PNF e Sh.f “Jeta e re” të Komoranit), katër vjet i përfundoi në paralelen e ndarë të Shkollës fillore, poashtu të Komoranit, në Korroticë të Epërme dhe katër vjet të tjera i përfundoi në Shkollën fillore „Jeta e re” në Komoran.
Gjatë shkollimit fillor, Xhemile Hoxha-Aliu ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme, por pas shkollimit fillor, për shkak të zakoneve tona të prapambetura, fejesa e parakohshme e detyroi që të mbyllej në shtëpi.
Ajo kishte ikur nga shtëpia, por me vonesë. E kishin rikthyer në shtëpi pas kësaj ikjeje dhe qe e detyruar të qëndrojë aty, për të ikur prapë pas një viti, e fati i kishte buzëqeshur që me shumë sakrifica të ulej sërish në bankat shkollore.
Xhemilja, me sakrifica shumë të mëdha, me ndihmën e mësueses Vahide Ibriqi, që ishte bashkëshortja e mësuesit të saj, sistemohet në konviktin e Shkollës së Mesme të Akademisë Pedagogjike në Prishtinë, ku edhe filloi sërish rrugën e shkollimit dhe të dijes.
Xhemilja asnjëherë nuk pati problem dhe mosmarrëveshje me vëllezërit e saj, sepse edhe ata ishin të shkolluar dhe ishin të suksesshëm në studime, por andralla pati kjo femër shqiptare, me zakonin prapanik të fejesave në djep, të cilën e kishte bërë babai, kur Xhemilja ishte e vogël.
Edhe në Akademinë Pedagogjike ishte nxënësja më e mirë, për çka dhe Këshilli i Profesorëve kishte marrë vendim që Xhemile Hoxha nga viti i dytë të kalojë në të katërtin. Pra, shkollimin e mesëm e kreu për tri vjet.
Pas shkollimit të mesëm u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, por njëkohësisht edhe punoi si mësuese në Paralelen e Ndarë në Korroticë të Epërme. Pas një viti e ndërpren punën për shkak të pamundësisë për t’i percjellur studimet me rregull. Diplomoi në Fakultetin Ekonomik dhe punësohet në Kuvendin komunal të Drenasit për vetëm për katër orë ( prej orës 8-12), ku pastaj i komunikohet vendimi për pushim nga puna për shkak të pjesëmarrjes në demostratat e vitit 1981, me të padrejtë punësimi në organet e pushtetit të atëhershëm. Pas ankimit që bëri në Gjyqin e Punës të asaj kohe, u kthye në punë, por nuk iu dha kjo e drejtë që të punojë në organet e pushtetit. Atëherë e obligojnë që për një vit të bëjë praktikë në Bashkësinë Banesore dhe pas një viti Xhemilja refuzon që tutje të të qendrojë si paktikante, edhe pse mundësi të tjera s‘i dhanë dhe për pasojë qëndroi një kohë prapë në shtëpi deri në një konkurs të shpallur në “FERONIKEL”, ku punësohet dhe aty punon 10 vjet, deri kur u zbatuan masat e dhunshme serbe, kur edhe e largojnë nga puna bashkë me shumë kolegë të tjerë. Asokohe Xhemilja ishte e martuar dhe kishte edhe katër fëmijë, pa kushte për jetë dhe pa të ardhura, meqë edhe bashkëshortin , me të cilin punonin bashkë në “FERONIKEL” ia largojnë nga puna. Zgjidhja e vetme dhe e dhimbshme ishte vendimi për të marrë rrugën e kurbetit, që më parë kurrë s’ e kishte menduar.
Jeta ishte kjo, dhe Xhemile Hoxha-Aliu edhe sot jeton dhe vepron në kurbet, prej nga neve lexuesve të saj besnikë na sjell thuajse për çdo ditë vargje të mbushura plot mall për njerëzit dhe Atdheun e saj.

Shperndaje ne
Updated: 23 Shkurt, 2017 — 08:44

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.