Letërsi Kombëtare: GONA -SHPIRTARBËROR

GONE-SHPIRTARBËROR

1
Gone shpirtarbëror
Ndrit si meteor
Emrin tënd të artë
E kam thellë n’kraharor

Gone zemërtrime
Yll me vezullime
Ndrit si flakadan
Për Kosovën time

Gone syshqiponjë
Me ty jem krenarë
Ti je agu i dritës
Je yll rreze-ar
2
Gone, motërzo
Zemra ç’më këndon
Gjau yt i kuq
Shqipen gjallëron

Gone heroinë
Ndrit në errësi
Për hasmin, barbarin
Plumba me breshëri

Gone, shqipe moj
Unë për ty këndoj
Për t’shtrenjtën liri
Ike n’pavdekësi
3
Çlirimtare Gona trime
Lulëkuqe plot freski
Vashë e rritur n’truall Drenice
Je e jona krenari

Ty të rriti babai, nëna
Shqipe mali t’jesh kudo
Flakadan n’skëterrë, tufane
Gona trime, motërzo

E dhe jetën për Kosovën
Re trimërisht për këtë atdhe
Këngë malli e lavdie
Të këndojmë, motër e re
4
Në gjoks të cilit luftëtar
Ke qëndruar, vallë
-Gona trime më mbajti n’dorë
Malit me dëborë

Në sa beteja flakë e tym
U prive çlirimtarëve
-E din motra Antigonë
Bija e shqiptarëve

Simbol i dashur, i shtrenjtë
Flamur kuq e zi
-Gona trime më mbajti n’gjoks
Kur ra për liri
5
-Vallë, si nuk u lodhe
Në shtigje e brigje
E ndjekur
E munduar
Nëpër mote e stinë
N’cegmë e suferinë

-Jo, s’lodhem
as frikohem
Apak, asnjë grimë
Sepse jam shqiptare-
Shqipe, gjeraqinë

Ti-Shqipe në flamur
Ti-Kala gur mbi gur
Guximtare e fjalës
Dhe fuqi e valës
N’flamur e betuar
N’ UÇK-ë e rreshtuar

Prore pushka jote
Ushtimë nëpër mote
Në male e jehuar
Mbet e pashpjeguar

Shqipe, sokoleshë
E vërtetë trimëreshë
Je legjendë që koha
E kthen n’rikujtesë
As venitesh, as tretesh
S’ dremitesh n’ harresë

Trime, Antigonë-
E shpejtë si shqiponjë
Shqipe, gjeraqinë
Ti-Rrezja më e ngrohtë
Në atë kohë të ftohtë

Shperndaje ne
Updated: 26 Nëntor, 2018 — 16:37

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.