A ka dritë në fund të tunelit ku na kanë futur ne shqiptarëve?! Po, ka. Ajo është drita e Bashkimit Kombëtar.

Nga Gjon BRUÇI

“Tmerruese! Ky është eksodi tragjik i kosovarëve”, shkruan Shekulli duke cituar një koment të Agjensisë së Lajmeve “Reuters” të datës 8 Shkurt 2015 për emigrimin e shqiptarëve të Kosovës drejt vendeve të BE. Lajmi nuk është i ri. Prej disa ditësh mediat e Kosovës, të Shqipërisë dhe ato europiane kanë njoftuar për mijëra kosovarë të larguar nga vendi dhe me adresë vendet e Unionit Europian. Pjesa dërmuese e tyre kanë përfunduar në getot zyrtare të emigracionit në Hungari, ose nëpër qelitë e shtetit serb si “shkelës të paligjshëm të kufirit”.

 

shq_01Pse po largohen shqiptarët e Kosovës nga vendi i tyre? Përgjigja e autoriteteve kosovare është tepër evazive, me një thirrje të zbehtë “mos e lëshoni vatanin”. Ndërsa pushtetarët këtej kufirit artificial, këta të Republikës së Shqipërisë, as që merren me këtë problem, sepse… nuk është problemi i tyre!!! Kushdo që e njeh historinë shumëshekullore të shqiptarëve të Kosovës shtron pyetjen: Si është e mundur që një popull i cili rezistoi me vite e shekuj për të mos u shkulur nga vatani i tij, duke i mbijetuar edhe dhunës së pashembullt të pushtuesit, tani në liri e demokraci, tani kur ka dhe republikën e tij, tani që pret të integrohet në Europën e Bashkuar, papritur lë vatrat, shtëpitë, pasuritë dhe me fëmijët në krah e një dorë plaçka mbi kurriz merr rrugët e emigrimit të pakthim? Probleme ekonomike?! Çështje punësimi?! Edhe këto janë disa nga arsyet, por jo të gjitha. 

 

Arsyeja kryesore që kosovarët po lënë sot vatrat e tyre është zhgënjimi. Zhgënjimi me Europën, me Amerikën, me të gjithë, madje edhe me të tijtë. Shqiptarët në përgjithësi, e veçanërisht ata të krahinës së Kosovës, zhgënjimet i kanë patur historike. Ato nisin zyrtarisht në qershor të 1878-s me Kongresin famëkeq të Berlinit, ku Bismarku, Shqipërinë e quajti shprehje gjeografike dhe shqiptarët “një tufë barinjsh të Ballkanit”. Ky zhgënjim do të përsëritej me 1913-n, kur Konferenca e Londrës (pra Europa) do ta coptonte vendin e shqiptarëve në disa shtete. Kjo padrejtësi do të vijonte edhe pas luftës së Dytë Botërore, e cila u mbyll me fitoren e Aleancës së Madhe Antifashiste, por jo me fitoren e plotë të popullit shqiptar. Por zhgënjimin më të madh shqiptarët e Kosovës e pësuan pas luftës çlirimtare të vitit 1999.

 

Gjenocidi serb i vitit 1999 ishte i pashembullt në historinë moderne. Mbi një milion shqiptar të krahinës së Kosovës u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të gjenin mbrojtje në Shqipëri, Maqedoni dhe vende të tjera të Europës. Komuniteti ndërkombëtar më në fund e kuptoi se nuk mund të rrinte e të bënte sehir kasapin e Ballkanit, Millosheviçin, i cili pasi sakatoi Bosnjë-Hercegovinën, nisi shfarosjen e shqiptarëve. Kjo dorë mizore që për një shekull me radhë po sakatonte shqiptarët e Kosovës, u ndal nga UÇK-ja dhe NATO. Kjo e fundit falë dy liderëve të kohës, Klinton dhe Bler dhe korespondimit të interesave të ndërsjellta. 

 

Shqiptarët e Kosovës, të inkurajuar nga fuqitë e mëdha, veçanërisht nga SHBA-ja, u rikthyen në trojet e tyre dhe pasi ngritën dy monumente simbolike, për Komandantin legjendar Adem Jashari dhe për shpëtimtarin e përtej Atlantikut, Klintonin, nisën punën për rikuperimin e plagëve të luftës, të cilat kishin prekur gjer në palcë çdo familje kosovare. Mbyllja e plagëve të luftës dhe rindërtimi i vendit ishin detyra të rëndësishme, por detyra e parë, objektivi kryesor ishte ribashkimi me “Shqipërinë Mëmë”. Luftën, – u tha Klintoni kosovarëve në mitingun e pritjes në Prishtinë, – e bëmë ne. Ju tani keni detyrë të bëni Paqen”. Por paqja qenka e vështirë! Më e vështirë se lufta. Sepse në paqe lulëzojnë tradhëtitë, dredhitë, gënjeshtrat, mashtrimet. 

 

“Pleqtë” e Europës, që u caktuan për të kollandrisur punët e shqiptarëve, na paskan ndërruar pelerinat, por jo veset e qëllimet. Pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit dhe shtatë vjet pas kartës së pavarësisë, Republika e Kosovës endet akoma nëpër kancelaritë e “Bismarkëve të rinj” duke kërkuar pa sukses njohjen e saj formale. Bismarkët e rinj, së bashku me “manarët” vendas që drejtojnë republikën fantazmë, i veshën kësaj të fundit edhe “fusnotën (më saktë fustanin) dhe nisën ta shëtisnin nëpër bisedime pa fund pikërisht me atë që e pati përdhunuar për më se një shekull me radhë. Ndërkohë, nuk harrojnë ta nanurisin me “këngën” e integrimit europian, i cili pritet të realizohet në “kalendat greke”. Dhe deri në këto “kalenda”, qytetarët e Kosovës do të qëndrojnë në “arrest shtëpie”, nga ku nuk mund të dalin pa lejen e prokurorit dhe gjykatësit “Europë”.

 

Zhgënjimi i qytetarit kosovar është i gjithanshëm. Ai nuk e mendonte se pas çlirimit, Europa do ta detyronte të shkonte në takime e bisedime pikërisht me atë që e kishte poshtëruar, coptuar, denigruar, turpëruar, shfrytëzuar përdhunuar e deportuar për gati dy shekuj me radhë.

Aq më tepër kur ky përdhunues ende edhe sot nuk ka kërkuar falje, qoftë edhe formale për të zezat e panumërta që i ka sjellë në rreth dyqind vjet gjenocid.

Shqiptari i Kosovës nuk e kishte menduar se pas çlirimit, UÇK-ja, që derdhi gjakun për lirinë e shumëpritur, do të urdhërohej nga Europa të dorëzonte armët, ndërsa armiku i tij shekullor do të vijonte të armatosej e militarizohej, sikur të ishte ai fituesi i luftës së 1999-tës.

Shqiptari i Kosovës nuk e kishte menduar se pas luftës çlirimtare liderët e tij do të kompromentoheshin në atë shkallë sa të ktheheshin në sejmenë të bindur të të huajve dhe për një grusht eurosh të viheshin kundër interesave kombëtare. Plot një shekull kishte ëndërruar e luftuar kosovari për bashkimin me “Shqipërinë mëmë”, por kur kjo ditë e kjo mundësi erdhi, në vend të “traut të shkjaut” u ngrit “trau europian” dhe ai mbeti përsëri prapa gardhit kombëtar. Shqiptari i Kosovës gëzohej, forcohej e mobilizohej në luftën çlirimtare, sepse kishte prapa vëllezërit e Shqipërisë shtetërore të cilët do t’i gjendeshin në krah me shtetin dhe ushtrinë e tyre të organizuar në shkallën më të lartë. Por kur e arriti çlirimin, pa se “shteti amë” ishte shkatërruar e bërë zhele nga bastardët që Europa kishte sjellë e mbante në pushtet, sa ajo, domethënë Shqipëria nuk ishte në gjendje t’i dilte zot as asaj pjese që i patën lënë fuqitë e mëdha në atë konferencën sakatuese të Londrës.

 

Zhgënjimi i qytetarit kosovar u dyfishua kur fill pas fitimit të lirisë, pa se harta e vendit të tij u bë laramane me enklavat serbe, ashtu siç u bë laraman edhe flamuri kombëtar me të cilin ai kishte udhëtuar e mbijetuar shekuj me radhë. Në këto “enklavat” serbe “pleqtë” e Europës po tentojnë të futin edhe Trepçen e famshme ku “strehohen” pasuritë kryesore të Kosovës dhe ku punëtori kosovar duhet të jetë pronar e jo argat.

 

Sikur të mos mjaftonin këto, ja dhe një lojë tjetër, tashmë me identitetin e kosovarit. Në pamundësi për të dalë nga situata ekonomike ku e çoi Lufta Çlirimtare e pa përfunduar, ose më saktë e manipuluar, kosovari tenton të dalë përkohësisht në Europë, ku edhe nën regjimin titist pati arritur të siguronte punë sezonale. Por, siç thamë më lart, sapo ai u lirua nga burgu serb, gjykatësi ndërkombëtar e dënoi me “arrest shtëpie”. E vetmja mënyrë për të lëvizur në vendet e Unionit Europian ka mbetur pasaporta serbe me shtesat në fund të mbiemrave. Dhe kosovarët po e provojnë edhe këtë “rrugë”.

Ashtu si vëllezërit e tyre të Shqipërisë, të cilët për të siguruar kartonin jeshil në Greqi, ndërrojnë emrat e shkruhen si minoritarë grekë. Koiçidencë të jetë kjo punë, apo një “traktat” i fshehtë si dikur ai i Londrës?

Ç’ndryshim mund të ketë qytetari kosovar, i cili me pasaportë serbe kalon në Europë, ndërsa me atë kosovare mbetet prapa doganës? A nuk ju duket se po përsëriten të njëjtat metoda si ato të fillimshekullit shtatëmbëdhjetë, kur shqiptarët për t’i shpëtuar represionit turk u konvertuan në myslimanë, çka është njëra nga arsyet që i pengon sot të futen si të barabartë në kontinentin e vjetër, ndonëse janë banorët më të parë të saj?! A ka ndonjë lidhje me këto që shtruam më lart, porosia e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për serbet e Kosovës, kur u tha të lindnin sa më shumë fëmijë dhe të mos i shisnin trojet që kanë zënë?!

 

Zhgënjimet europiane për kosovarin nuk ishin të papritura. Ato, siç thamë i pati provuar disa herë në historinë e tij. Këtyre zhgënjimeve nuk u trembej, sepse kishte dy dalëzotës: Shqipërinë shtetërore dhe Amerikën. E para, Shqipëria, kishte mbajtur të ndezur shpirtin e kombit dhe dëshirën e aspiratën e tij për bashkim. E vogël ishte Shqipëria shtetërore, por gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzet, falë sistemit socialist dhe veçanërsiht falë udhëheqësit legjendar Enver Hoxha, u bë një vend e një shtet që të tjerët ishin të detyruar ta merrnin në konsideratë. Por pas vdekjes së “Burrit të dheut” dhe në prag të çlirimit të Kosovës, Shqipëria po vraponte “lakuriq me duar në xhepa” drejt BE, vrap që edhe tani pas një çerek shekulli nuk e ka sosur. Perëndimi dhe kanakarja e saj, Serbia, e kishin bërë punën që kishin ftilluar njëqind e ca vjet më parë. Kosovarët të zhgënjyer e të tradhtuar, e kthyen vështrimin dhe shpresën tek dalëzotësi i dytë, tek ai që i kishte ndihmuar në Fitoren e madhe të Çlirimit. Por dalëzotësi i dytë, ndryshe nga raca jonë pellazge, ka do terbiete të tjera.

Ai në radhë të parë shikon interesat e tij, e në plan të dytë burrninë. Janë këto interesa që e bënë atë ta linte Kosovën në duart e “pleqve“ të Europës, të cilët ndonëse me mantelin e purpurt të demokracisë mbi supe, veprojnë njësoj si paraardhësit e tyre të një shekulli më parë.

 

  • A ka dritë në fund të tunelit ku na kanë futur ne shqiptarëve?! Po, ka. Ajo është drita e Bashkimit Kombëtar.

Të coptuar në disa shtete ne do të mbetemi gjithnjë në geton e Europës dhe në “arrest shtëpie”. E vetmja mundësi për t’i shpëtuar kësaj getoje dhe “arrestit” është realizimi i thirrjes tashmë të njohur “Një Komb, Një Shtet”. Nëse presim që këtë “Shtet” ta kemi pas hyrjes në Europën globale, atëherë nuk do të kemi as komb. Në vitet e fundit koha ka punuar për ne shqiptarët. Por ne nuk kemi ditur ta administrojmë atë. Sepse në vend të burrave të vërtetë shqiptarë ne kemi vënë e mbajmë në qoshe të oxhakut meshkujt bastardë të racës sonë. Po vijuam t’u shkojmë pas këtyre bastardëve, shumë shpejt do ta shohim veten refugjatë në vatrat tona.

 

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.