Vojsava Kastrioti, vazhdon përpjekja për ta shitur si sllave dhe jo ilire.

Kohët e fundit ka plasur një garë e ethshme e disa historianëve kush e kush të marrë flamurin e përcaktimit të kombësisë së Vojsava Kastriotit, nënës së të përndritshmit Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në shumë studio televizive ku flitet dhe analizohet epoka dhe bëmat e Skënderbeut në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, po hidhen teza dhe teori mbi prejardhjen e Vojsava Kastriotit, duke ia faturuar etnogjenezën e saj sllavëve të jugut dhe posaçërisht serbëve, të cilët nuk e kanë për hak që të mburren me të.

Nuk do të ishte fare çudi dhe nuk do të përbënte fare problem në qoftë se Vojsava Kastrioti do të kishte origjinë sllave dhe pse jo serbe. Në kohët e mbretërive dhe principatave ka qenë në modë martesa e princit apo mbretit me gra nga kombësi apo raca të tjera, kryesisht të fqinjëve apo rajonit. Kjo martesë bëhej për të forcuar aleancat ushtarake dhe garantuar krahët dhe nuk ishte aspak problem, por në rastin e Vojsava Kastriotit çështja qëndron ndryshe.

Le të flasim me fakte dhe dokumente historike dhe të mos spekulojmë me historinë në emër të titullit akademik që mbajmë, që në disa raste krijon butaforizëm të tepruar dhe zhurmon mediatikisht duke lëshuar tymnaja maramëndese.

Biografi më i shquar i Skënderbeut, ai që shkroi dhe botoi i pari historinë e luftërave dhe bëmave të tij, pra Marin Barleti, që u përkthye dhe u përhap anë e këndë botës, nuk na e dëshmon një fakt të tillë, që Vojsava Kastrioti të ketë qenë me origjinë sllave, apo serbe, më konkretisht. Po të kishte qenë e vërtetë kjo, një biografi si Barteli do ta kishte evidentuar këtë fakt special në raport me shqiptarët. Biografët në tërësi nuk mund t’ia lejojnë vetës gafa të tilla, kur marrin përsipër të zbërthejnë në rrënjë personalitete apo personazhe me rëndësi epokale e botërore.

Në librin e tij “Historia e Skënderbeut” Barleti na bënë të ditur se nëna e Skënderbeut Vojsava, ishte bija e princit të Tribalëve dhe nuk na thotë se princi i Tribalëve ishte sllavë nga origjina, apo serbë fare, siç reken disa tymlëshues në opinionin e ndjeshëm shqiptar.

Por historia nuk mbaron këtu. Personazhe të mëdha të kohës së Skënderbeut, madje bashkëluftëtar dhe bashkëkombës së tij na kanë lenë dëshmitë e tyre mbi prejardhjen e nënës së Skënderbeut, Vojsava Kastriotin. Është Gjon Muzaka që na bënë të ditur se nëna e Gjergj Kastrioti Skënderbeut quhej Vojsava Tribalda. Në përshkrimin e tij kur i drejtohet Vrana Kontit, që edhe ky rridhte nga fisi i Muzakajve nga e ëma, Gjon Muzaka e quan atë markezë të Tribaldëve. Pra siç kuptohet, lidhja e tyre farefisnore ishte krejt arbërore.

Vet studiuesi dhe albaologu Prof. Dr. Johann Georg Von Hahn na përmend gjatë studimit të shtresës gjenealogjike të Kostandin Muzakës se, Vojsava Tribalda bijë e zotit të Pollogut, Moncini, është me gjak nga Muzakajt dhe kjo nuk ka asnjë dyshim.

Veç këtyre, kemi edhe mbështetjen e palëkundur të historianit të njohur gjerman, albanologut dhe turkologut të shquar Franc Babinger (1891-1967), i cili iu përkushtua historisë shqiptare gjatë udhëtimit të tij në Ballkan dhe Shqipëri, ku kreu vrojtime të vlefshme që u pasqyruan në veprat e tij: “Depërtim në atdheun e shqiptarëve” (1928), “Në Atdheun e Ceo Begut, Shqipëria” (1932), “Një vepër e trilluar për Skënderbeun” (1934) etj.

Vijmë tani te Pollogu në Dibrën e Madhe në veri të Tetovës, vendlindja e Vojsava Tribalda Kastriotit. Në mesjetë, pak përpara vendosjes së sllavëve në territoret e Ballkanit jug-perëndimor (shek. VI e.s), Stefan Bizantini i përmend ata si fise “ilire”. Është e qartë se, si në shek. VI të S. Bizantinit dhe në atë të XIV të Moncinit, por edhe sot në shek. XXI të kohës që jetojmë, dëshmohet fakti se Pollogu, banuar pa ndërprerje nga arbërorët, na fletë për një grua të hirshme: Vojsava Tribalda Kastriotin nga Dibra, nënën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Pas vdekjes së Stefan Dushanit dhe shembjes së perandorisë së tij serbe, sipas disa burimeve historike, fisnikët e Arbëris u ngritën dhe rimorën territoret e tyre të humbura. Prof. Pëllumb Xhufi në studimin e tij ”Zotërimi i Gropave të Dibrës në shek. XIII-XIV” na sjell një fakt interesant.

Pas vdekjes së S. Dushanit zotëruesi i trevës së Dibrës përmendet zhupani i madh Andrea Gropa. ”Ky arriti të presë monedhën e tij, gjë që tregon se ai kishte mundur të ngrejë një principatë mjaft të fuqishme”. Me tej autori shpjegon se A. Gropa i shkoi në ndihme despotit të Beratit, vjehrrit të tij, Andrea Muzaka për marrjen e Kosturit, i cili sundohej nga princi serb Marko Krajlevic. Me rënien e tij, Kosturi u kaloi Muzakajve, kurse Andrea Gropa u bë sundimtar edhe i Ohrit. Të njëjtin fat me atë të M. Krajlevicit patën edhe princër të tjerë serb, që sunduan në territoret shqiptare të ardhur në pushtet gjatë sundimit të S. Dushanit.

Studiues e historianë të kësaj periudhe, ndër këta Fan S. Noli, argumentojnë se gjatë shekujve XIII-XIV fisnikët arbër sundonin deri në rrjedhën e sipërme të Vardarit, si Balshajt, Gropajt, Muzakët, Kastriotët e të tjerë. Brenda këtij territori përfshihej edhe Pollogu, zotërues i të cilit ishte i ati i Vojsavës. Sipas tyre princi i Pollogut duhet të ishte arbër, pasi një princ serb nuk mund të ushtronte pushtetin e tij në një territor të rrethuar nga fisnik arbër.

Po të ishte kaq e vërtetë se Vojsava Kastrioti ishte me origjinë sllave, gjatë 550 viteve të mungesës fizike të Skënderbeut, por edhe të famës dhe triumfit të tij arbëroro-europian, sllavët e jugut nuk do kishin lënë gurë pa lëvizur dhe pa botuar për origjinën e saj.

Përhapja e sllavizmit te shqiptarët vazhdon edhe sot e kësaj dite, kur dëgjon nga goja e ndonjë historiani të njohur argumente qesharake të emrave sllavë të motrave apo vëllezërve të Skënderbeut. Madje ky është edhe argumenti më fatal ku kapen këta historian.

Dihet se emrat e fqinjëve apo të pushtuesve që kanë qëndruar gjatë janë përdorur masivisht nga shqiptarët, të cilët nuk e kanë për gjë tu vendosin fëmijëve emrat që u pëlqejnë, që u duken interesant, të rinj dhe të pa konsumuar brenda fisit të tyre. Emrin Vojsava e mbajnë edhe sot e kësaj dite me dhjetëra vajza dhe gra shqiptare, por deri tani nuk na ka rezultuar që ndonjëra prej tyre të ketë origjinë sllave?! Në rastin tonë ky argument i emrave sllavë të vëllezërve dhe motrave të Skënderbeut bie.

Ç’mund të themi për emrat e prindërve tanë, të cilët janë me prejardhje turke myslimane, apo të atyre ortodokse që i kanë edhe grekët, apo të atyre katolike që i kanë edhe italianët? Prindërit e mi, qoftë e ndjera mama që quhej Hurma, por edhe babai që është gjallë që quhet Kamber, emrat i kanë me prejardhje turke, por asnjëherë nuk kam dëgjuar nga ata, apo gjyshërit që ta kenë pasur origjinën turke. Jemi shqiptar denbabaden dhe emri nuk ka të bëje fare me përkatësinë etnike, ndoshta me atë fetare po.

Ecim më tej dhe vijmë në ditët e sotme. Me mijëra fëmijë që lindin në emigracion nga prindër shqiptar, u vendosen emra të ndryshëm, veç atyre shqiptar të kohës së ilirëve dhe arbërorëve, u vendosin emra nga vendet ku kanë emigruar, apo edhe emra ndërkombëtar, por kjo

s’do të thotë se ata janë Italian, grek, francez, gjerman, anglez, amerikan, sepse etnogjeneza e tyre është shqiptare.

Ky argument vlen edhe për Vojsava Kastriotin dhe fëmijët e saj dhe kjo nuk ka pse të diskutohet.

Reken sot të në mbushin mendjen se Skënderbeu ishte ortodoks, pastaj katolik, pastaj mysliman, pastaj ushtar i Krishtit, pastaj pa fe fare…

E ç’rëndësi ka kjo për ne shqiptarët. E rëndësishme është që Skënderbeu ishte shqiptar 100% dhe luftoi për ta mbrojtur kombin e tij nga invadimi osman i sulltanëve. Përveç nesh përfitoi Europa, natyrisht do përfitonte se Mali Shqiptar nuk kapërcehej lehtë, Kalaja e Krujës nuk mposhtej dot.

Është bërë traditë në disa persona, studiues dhe historian qofshin, që të nxjerrin bishta në lidhje me prejardhjen e shqiptarëve, duke ngatërruar mendjen e njerëzve dhe duke u ardhur për shtat fqinjëve tanë, të cilët e kanë pasur dhe e kanë strategji grabitjen e historisë, mitologjisë, perëndive dhe heronjve pellazgo-iliro-shqiptar, duke ua atribuuar ato popujve të tyre.

Ku jemi ne? Ku është Akademia e Shkencave, që me gjithë thirrjet e përsëritura për reformimin e saj, vazhdon të vegjetojë brenda vetës, duke u forcuar si uthulla, për të shpërthyer kundër të gjithë atyre që kërkojnë hapjen e saj ndaj prurjeve të reja.

Është detyrë e të gjithë studiuesve të historisë së popullit tonë në shekuj, të akademikëve dhe katedrave historike universitare, mbrojtja e historisë sonë shumë shekullore nga tendencat e disave për të vënë në dyshim etnogjenezën tonë pellazgo-ilire e deri Skënderbejane.

Fakti që këtë origjinë e shesin te sllavët disa gjoja analistë në studim, apo, për fat të keq edhe ndonjë historian i njohur, përbënë kulmin e mohimit të vetvetes. Shqiptarët janë në këto troje përtej 12 mijë vjet më parë, kur nuk kishte as grek dhe as sllavë. “Pellazgët janë stërgjyshër të shqiptarëve të lashtë, që jetonin në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe. Ata ndërtuan vepra me vlera kolosale, që ia lanë trashëgim njerëzimit”, thuhet në faqen 873 të Enciklopedisë së Madhe Greke, vëllimi 19, botim i vitit 1932.

Çlirim Hoxha

Botuar te gazeta “Telegraf” dt.23.01.2018

Shperndaje ne
Updated: 23 Janar, 2018 — 19:55

The Author

Çlirim Hoxha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons