Isa Boletini dhe kontekstualizimi i veprimtarisë së tij në shkrimet bashkëkohore

Isa_boletini_faji_fuqive01

Prof_nushiProf. Dr. Pajazit Nushi

Për Isa Boletinin – personalitet i njohur i historisë kombëtare – siç është tashmë e njohur, u shkruan dhe u botuan monografi, artikuj, trajtesa shkencore, zëra fjalorësh historik, fjalorësh enciklopedik, zëra të enciklopedisë së përgjithshme, etj. Këto shkrime datojnë që nga mbarimi i shekullit njëzet deri më sot dhe, kuptohet, do të vazhdojnë. Mjafton të përmendim me këtë rast shkrimet e para historike të lidhura me pjesëmarrjen e Isa Boletinit në luftërat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, konkretisht në betejen e Slivovës në moshën e tij shtatëmbëdhjet vjeçare dhe të përfundojmë me shkrimin më të rinj të historianit Ramiz Abdyli “Dosja e Portës së Lartë për Isa Boletinin” botuar në “Kohën Ditore” të dates 3, 10 dhe 17 janar 2015. Në ndërkohë dallohet letra e Aubtry Herbert – it “A meeting with Isa Boletini” – “ Obri Herbert “Takimi me Isa Boletinin”, monografia e Skënder Luarasit botuar më 1972 dhe e Fatmire Musës më 1987, zëri “Isa Boletini” në Fjalorin Historik të Robert Elsiet botuar në shqipe më 2011, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 dhe 2011, zëri “Isa Boletini” në Enciklopedin e Jugosllavisë botuar më 1982, etj. Duke mos pëprmendur konceptualizimin e jetës dhe të veprimtarisë së Isa Boletinit në tekstet historike, në këto tekste dallohen gjykime vlerësuese të ndryshme, madje edhe kontradiktore. Kështu, për historianin Bogomil Hrabak, Branko Babiq (Branko Babić), Zhivojin Ballugxhiq (Živojin Balugdžić) etj. Isa Boletini konsiderohet se ka bashkëpunuar me serbët e malazezët, për Enciklopedin e Jugosllavisë Isa Boletini ka qenë “vesh më vesh” me Austro – hungarezët, për Robert Elsien “Isa Boletini u internua në Podgoricë, ku u vra në një shkëmbim zjarri”, etj. Gjykimet e këtilla vështirë i përballojnë gjykimit të Redaksisë së Enciklopedisë Britanike, ku është thenë: “Xhon – turqit. . . refuzuan të njohnin të drejtën e shqiptarëve për vetadministrim deri te kryengritja e 1912 – tës, e cila kulmoi me okupimin e Shkupit nga malësorët shqiptarë nën udhëheqjen e Isa Boletinit. Që atëherë xhon – turqit dorëzohen. . .”, si edhe disa gjykimeve nga burimet e tjera, si:“. . . burrit të Kosovës (fjala është për Isa Boletinin P.N.) që luajti rol qendror si kryetar i kryengritjes së përgjithshme në pranverë të 1910. . . .”, “Ishte një nga luftëtarët e mëdhenjë të lirisë në Kosovë (do të thosha edhe në Shqipëri P. N.) në fillim të shekullit të kaluar”, etj. Për rolin e Isa Boletinit në okupimin e Shkupit dhe për dorëzimin përfundimtar të xhon – turqëve “Makedonska Enciklopedija” – “Enciklopedia e Maqedonisë” nuk ka bërë fjalë!.

 Në tekstet monografike të njohësve autoritativ të jetës dhe veprës së Isa Boletinit përshkruhet personaliteti i dalluar në luftërat për çlirimin e Shqipërisë dhe lirin e popullit shqiptar, në tekstet turke Isa Boletinit i është akorduar thirrja “Beu”, në tekstet e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar pohohet: “Boletini, Isa (1864 – 1916). Luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar. Hero i popullit…”, kurse Isa Boletini për veten e tij ka pohuar se “un jam mirë kur asht` mirë Shqipëria”, kurse bashkëluftëtarët e tij i ka quajtur “argatët e lirisë së shqiptarëve”. Nga sa u tha, dallojmë gjykime vlerësuese të ndryshme që sillen nga paraqitja e Isa Boletinit personalitet në gjykimin e lartë pozitiv, me thirrje e dekorata më të larta kombëtare “Hero i Popullit” dhe “Nderi i kombit” deri në gjykimin pak a shumë negativ, si: ka qenë “vesh më vesh me ushtrin austro – hungareze”, “ka bashkëpunuar me diplomatët serb”, “Nga Serbia kishte marrë një shumë të madhe parash”, etj. Historiografia shqiptare gjykimet e përmendura negative i ka hedhur me kohë poshtë, por këto po përsëriten në botimet e kohës së sotme të Branko Babiqit (Branko Babić), të Redaksisë Qendrore të Enciklopedisë së Jugosllavisë, të Oliver Shmitit (Oliver Schmit), të Dimitrije Bogdanoviqit (Dimitrije Bogdanović), etj. Pikërisht këtu dallohen disa mendimtarë (historianë, politikologë, leksikografë, etj.) nga ata, që janë marrë me studimin burimor të jetës dhe të veprimtarisë Isa Boletinit.

Shqyrtimi i raporteve ndërmjet gjykimeve kontradiktore të përmendura është, në radhë të parë, çështje e historianëve, por edhe e të tjerëve, sidomos e atyre që merren me enciklopedistikë. Meqë enciklopedistika i merrë burimet faktografike thelbore e dytësore nga historia e veprimtarisë së personaliteteve dhe e rolit të tyre në periudha të caktuara të raporteve kohore kur këta kanë vepruar duke u dhënë këtyre tiparet e personalitetit enciklopedik, me të drejtë parashtrohet pyetja: çfarë janë argumentet dhe cilat janë burimet argumentuese të atyre, që i atribuojnë Isa Boletinit tipare pozitive dhe të atyre, të cilët i atribuojnë të njëjtit personalitet dhe veprimtarisë së tij në të njëjtën periudhë kohore tipare negative?

 Dijenia e arsyes së shëndoshë dhe mendimi enciklopedik për jetën dhe veprimtarin e Isa Boletinit
Isa Boletini dhe veprimtaria e tij, siç përmendëm, tashmë është bërë personalitet enciklopedik. Cilësimi i veprimtarisë së tij është dëshmuar me sistem konceptesh e gjykimesh të argumentuara, si edhe me disa përfundime të shprehura botërisht. Përmbajtja e koncepteve, e gjykimeve dhe e përfundimeve të këtilla, sidomos burimi i tyre në tekstet e mirëfillëta enciklopedike, siç janë ato të botuara në “Enciklopedi Britanike” janë të mbështetura në argumente të mbledhura dhe të sistemuara në mënyrën koherente sipas metodave hulumtuese të verifikuara e jo sipas “logjikës emocionale” dhe as vetëm sipas “arsyes së shëndoshë”. Logjika emocionale dhe produktet e saja nuk mund të kenë kurrfarë vlere objektive as për sistem të dijenive a njohurive dhe as për sistem të koncepteve enciklopedike.
Të ngjashëm me të janë edhe produktet e së ashtuquajturës “arsye e shëndoshë”, e cila mbështetet në përvojën individuale të studiuesit së cilës i bashkangjitën bindja, paragjykimet, drejtimi i mendimeve të përgjithshme të mjedisit shoqëror në kohën kur studiuesi merret me studimin e personalitetit ose të çështjes së caktuar, etj.. “Arsyes së shëndosh” i mungojnë proceset mendore (analiza, sinteza, abraktimi dhe përgjithësimi) dhe argumentet e mbledhura dhe të dëshmuara sipas metodikës dhe procedurave hulumtuese dhe, në këtë mënyrë, “arsyeja e shëndoshë” për dukurinë, proceset dhe personalitetet mbetet në periferi të çështjes studimore; aty ku mungojnë gjykimet e argumetuara sipas fakteve të mbledhura metodologjikisht dhe të përpunuara mendërisht, gjykimet e këtilla janë të dyshimta, për mos thenë këto janë gjykime të mangëta për një tekst leksikografik. Enciklodistika mbështetet kryesisht në intelektin e studiuesëve. Vetëm intelekti i studiuesve të mençur është në gjendje të prodhojë gjykime përgjithësuese vlerash të verifikuara, përkatësisht gjykime të përgjithsime, që kanë vlerë njohëse dhe të gjitha llojet shprehëse të tyre, përkatësisht që të njëjtat shprehen në të gjitha gjuhët qofshin këto gjuhë anglo – saksone, slave, romane, pse jo edhe shqipe. Gjykimet e përgjithsimet e këtilla janë karakteristike për tekste enciklopedike të mirëfillëta të shoqëruara me literaturën burimore. Pikërisht këtu dallohen tekstet enciklopedike nga ato leksikografike të fjalorëve etimologjik, historik, enciklopedik, etj.

Teksteve enciklopedike nuk iu afrohen as ato që kanë tiparet e teksteve të dijenisë, sepse këto të fundit mbështetën në tërësinë e koherencën e informacioneve individuale të fituara në bazë të përvojës, por jo në burim argumentesh të mbledhura sipas parimeve, metodave dhe procedurave hulumtuese, të sistematizuara dhe të shprehura me simbolet, me termat shkencore.

Gjykimet e përgjithësimet kryesore për veprimtarinë e Isa Boletinit në monografitë e përmendura dhe në fjalorët enciklopedikë kanë në thelb mbështetje argumentuese të dëshmuar. Por, kjo nuk mund të thuhet për tekstet e fjalorit historik të Kosovës dhe as të Shqipërisë, por as për disa tekste, ku veprimtaria e Isa Boletinit shtrohet në formë më të gjerë (Babić, Schmit, Dimitrijević, etj.). Mungesa e argumentueve dëshmuese për gjykimin përgjithësues se “Isa Boletini” ka bashkëpunuar me diplomatët serbë dhe se ka qenë “vesh më vesh me austrakët”, “Serbia i ka paguar një shumë të madhe parash”, “U vra në një shkëmbim armësh”, etj., nuk janë përcjellë me argumente dëshmuese të verifikuara. Kur? Në ç`vend? Çfarë është biseduar në ato takime me diplomatët e huaj?,etj. Gjykimeve të këtyre teksteve u mungon referenca burimore e duhur. Në gjykimet e këtilla dyshon edhe historiani bashkëkohor Noel Malcolm, i cili ka pohuar “Nderi i tij (i Isa Boletinit P. N.) nuk blihej aq lehtë”. Këtë çështje nuk e ka problematizuar as Xhorxh Gavruç (Georg Gavruch) në botimin më të ri të vitit 2006 në NJu Jork. Për këto shkaqe vërtetësia e gjykimeve negative pas argumenteve të identifikuara dhe të studiuara, këto gjykime I ka bërë të pavlefshme. Mirëpo, edhe pas rreth njëqind vjetësh gjurmimesh pas vdekjes së tij, disa nga këto gjykime të përhapura pak a shumë nuk ndryshua përmbajtjen e tyre, madje, disa nga gjykimet e lartëpërmendura kanë arritur të bëhën struktura të vetëdijës kognitive kryesisht në botën diturore sllave.

Isa Boletini i dha kuptim luftës së Kosovarëve për Shqipëri të përbashkët
Të dhënat, faktet e fjalorëve enciklopedikë dhe të teksteve të mirëfillëta enciklopedike, si edhe relacionet ndërmjet tyre kanë “jetë”: këto lindin e identidikohen, zhvillohen kuptimsisht dhe “vdesin”, përkatësisht humbin vlerën e dikurshme kuptimore duke u zëvendësuar me më të rejat objektive. Në këtë rrjedhë zhvillimore tekstet leksikografike (fjalorët historikë, enciklopedikë, etj) vjetërohen dhe i ngelin historisë nga të rejat e faktet e reja, si edhe nga komentet aktuale të tyre. Këtij procesi i janë nënshtruar edhe të dhënat, faktet e relacionet e tyre që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarin e Isa Boletinit. Sfondi i gjerë historik i këtyre të dhënave e fakteve, si edhe i relacioneve përkatëse ndërmjet tyre, ka argumentuar se Isa Boletini që nga mosha shtatëmbëdhjetë vjeçare deri në vrasje ka qenë i angazhuar në frontin e luftës për liri të shqiptarëve, sidomos të Kosovës së pandarë nga liria e shqiptarëve të viseve të tjera. Kultura politike e tij ishte mëse popullore, por, nuk ka dyshim, ka mbizotëruar ndjenja kombëtare të thella. Në këtë pikëpamje angazhimi njerëzor, politik, luftarak e shtetar popullor i tij ka bërë që Isa Boletini të konsiderohet prirës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të mbarimit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit njëzet, ndër themeluesit e shtetit të trojeve shqiptare dhe ndër kontribuesit dhe mbrojtësit e proceseve shtet – ndërtues të Shqipërisë së vendimeve të Londrës me të cilat ai nuk është pajtuar. Këto janë argumentet më të vlefshme, që Isa Boletinin e bëjnë jo vetëm personalitet historik, por edhe personalitet enciklopedik të mirëfillët dhe si të këtillë duhet konceptuar në tekstet enciklopedike bashkëkohore.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.