Histori Kombëtare: Europa përkrah sundimin turk

14717091_10154675538751468_4166560694002789496_n

 

prof_Zymer Mehani

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Diplomacia e Europës e ka njohur gjithmonë karakterin e keq të sundimit turk. Për turp të kësaj diplomacie i është thënë kjo e vërtetë në shesh, por gjithë këtyre protestave fuqitë e mëdha i janë përgjegjur: “Shqiptarët janë një racë e egër”. Asnjë njeri në Europë nuk e njohu më mirë popullin dhe tokën Shqiptare sesa italiani i famshëm, Markezi San Xhuliano. Me një penë të fortë ky zotni e ka hartuar kulmin e mizorisë me të cilën sundimi turk poshtëroi dhe shkretoi një popull, për trimërinë dhe kapacitetin e të cilit ky shkrimtar ka një respekt. Por, sikurse e thotë edhe vete, nga pozita diplomatike që kish iu desh me i mohuar të drejtat e Shqiptarëve me këto fjalë: “Prandaj Italia interesohet me e lënë të paprekur nderin e Sulltanit në Shqipëri nga çdo pikpamje; përkundrazi, me sa të jetë e mundur do ta mëkëmbë edhe më dhe do të ndalojë çdo gjë që mund të shkaktojë zhdukjen e sundimit të tij ose që mund të shkaktojë kondita të cilat, herët a vonë, mund të bëhen shkak për ndërhyrje të huaj ose për shqetësim të përgjithshëm”. Me këtë shpirt i dënoi Europa shqiptarët me robërinë e ndyrë dhe veçimin e tyre nga bota e jashtme, me shtypjen e pasurisë dhe të industrisë së tyre, me paditurinë që e mëkëmbi çdo ditë, me fanatizmin që futi në mes tyre, me varfërinë dhe me shtypjen e ndjenjave të tyre.
Mundime për liri
Nuk do ta përshkruaj historinë e gjatë se si Shqiptarët me lidhjet, kongreset dhe kryengritjet në çdo formë janë munduar me zhdukur robërinë e tyre. Mjafton që Turqia gjatë shekujve e njohu pazotësinë e saj dhe pamundësinë për të shkelur Malësorët. Asnjë këmbë ushtari turk nuk guxoi të hyjë në brendinë e maleve. Biles, një herë kur Sulltani desh të mësynte Malin e Zi, më parë mori leje nga malësorët e pastaj mundi të kalojë ushtria e tij. Asnjë herë nuk doli fituese Europa në planet e saja që me anë traktatesh e lidhjesh është munduar ta fshije emrin e këtij populli nga radha e popujve. Shqipëria nuk e njohu traktatin e Berlinit dhe tani po kundërshton edhe marrëveshjen e Londrës. Pikërisht në këtë kohë që po e shkruaj këtë libër, Italia ka zënë qytetet e bregut Durrësin e Vlorën, për të vetmen arsye që të gjejë popullin me armë në dorë dhe i cili patjeter do ta kundershtojë shkeljen e tyre. Mbetet për të parë në qofte se imperializmi, militarizmi dhe detaria, gjëra që e kanë prurë Europën në dhëmbin e vdekjes, do ta ruajnë këtë apo jo nga dënimi për mëkatet që ka bërë. Në qoftë se gjykimi i drejtë i njerëzisë do të sjelli një jetë të re të përgjithshme, paqe e vllazërime, duhet të hedhë poshtë e të zhdukë edhe diplomacinë e fshehtë që ka qenë dhuna dhe urrejtja e përgjithshme që ka sjellë gjithë mizoritë e sotme. Është kjo lloj diplomacie që e mbajti Shqipërinë me shekuj nën sundimin e ndyrë të Turqisë, e mbyti në varfëri, i mbylli dritën e qytetërimit dhe në gjithë rrugët që të çonin për në këtë vend vunë shenjën: “Është e rrezikshme – rrini larg”. Më në fund, kur qe thyer zgjedha turke vetë Europa iu vu punës në këtë vend duke qethur nga kjo tokë pjesët gati më me rëndësi dhe mbi copën që mbeti mori përsipër me krijuar një qeveri aq despotike në karakterin e saj saqë as qeveria e Stambollit nuk e kish paraparë kurrë. Në vend që me iu dhanë ndonjë farë sigurimi për liri e një statut Shqiptarëve, Europa pruri një princ, një komision ndërkombetar dhe një organizatë të huaj xhandarmërie për të sunduar Shqipërinë, si duket pa e menduar aspak që edhe ky popull duhet të ketë një zë në qeverinë e tij. Kjo qe haptazi një tirani absolute.

Shperndaje ne
Updated: 13 Nëntor, 2016 — 17:26

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.