UDHËTARËT FLENË KU E SI TË MUNDEN

14522767_133741630424424_6874752254594129543_n

Nga MELVILLE CHATER
Shkurt 1931.

prof_Zymer Mehani

E përzgjodhi Prof. Zymer Mehani

Në hanet shqiptare kushtet janë pothuajse primitive.Udhëtarët zakonisht mundohen që t’u shmangen dhe flenë kudo që të munden, në qoftë se munden. Në Gjirokastër gjetëm një teqe të ngritur mbi një qafë dhe të mbushur me qiparisa, ku provuam e shijuam mikpritjen tradicionale të dervishëve bektashinj. Për shkak të shekujve të shumtë të sundimit turk, Shqipëria jugore dhe ajo qendrore janë kryesisht myslimane. Priftërinjtë kristianë, ortodoksë e katolikë nuk predikonin në gjuhën shqipe, gjë që bënte që populli të mos kuptonte edhe fort mirë dogmën kristiane dhe të quhej kristian, thjesht sa për të thënë. Në të kundërt, shqiptarët e përqafuan lehtësisht fenë muhamedane, e cila u siguronte edhe një mbrojtje e siguri politike. Përfundimi ishte që dy të tretat e 833.000 banorëve të Shqipërisë të ishin myslimanë, ndërsa të tjerët të ishin të besimit ortodoks e katolik.
Pritja e dervishëve bektashinj dhe e kryetarit të tyre ishte e paharruar. Në një dhomë të ftohtë e të mënjanuar dhe pa asnjë mobilie baba Sulejmani me mjekrën e gjatë, me sytë që I shkëlqenin, me fustanellën e bardhë dhe jelekun e jeshiltë qëndronte i ulur këmbëkryq mbi qilima të trashë e të rëndë, duke mbajtur në njërën dorë tespihet dhe në tjetrën Kuraninishte mishërimi i mirësjelljes.
U përshëndetëm, përgëzuam njëri-tjetrin, pimë kafe të fortë turke. Një shërbëtor gungaç me një hundë tepër të madhe, sikur të kishte dalë nga përrallat e “Një mijë e një netëve” afrohej duke bërë temenara e duke u përkulur sa herë që Baba Sulejmani thoshte: “Vëllai im!”. Biseduam për shumë orë për tolerancën fetare dhe për të vërtetat që janë të përbashkëta në të gjitha dogmat fetare. Ai na solli si shembull një shprehje të lashtë: “Ajo që i ndan fetë e botës është vetëm fakti që njeriu beson se njeh. Dhe ajo që e bën njerëzimin një është ajo që ende nuk është gjetur, ajo që ende të gjithë kërkojmë!” Pasoi darka në një disk të madh prej bakri, rreth të cilit u ulëm të gjithë këmbëkryq sipër një qilimi. Shërbëtori i “Një mijë e një netëve” na çoi më pas nën dritën e një qiriri në dy dhoma që kishin përgatitur enkas për ne. Qoftë myslimanë, qoftë kristianë të ishin mysafirët dhe bujtësit e paparashikuar të natës, dhoma ishte e rehatshme. Katër ëngjujt që ishin mbi kokën e krevatit na dhuruan një gjumë të ëmbël e të rehatshëm në qetësinë e mrekullueshme të teqesë.
Mëngjesin e ardhshëm zbuluam se nuk u detyroheshim gjë prej gjëje dervishëve, asnjë kacidhe për mikpritjen e tyre, darkën dhe fjetjen. Mikpritja dhe toleranca janë dy nga kodet themelore të dogmës së bektashinjve. “Është e keqe të jetë ndokush i plotë, kur të tjerët janë bosh”,-thotë njëra nga vlerat e tyre. Dhe një tjetër thotë: “Është e keqe që të krenohet ndokush për urtësinë e tij, kur mohon urtësinë të tjerëve!”
Baba Sulejmani na dha uratën e tij. Pastaj e lamë që të mendohej mbi çështjet e fesë me vështrimin e drejtuar mbi malet. Një varg i Biblës na erdhi ndër mend. Psalti hebre dhe dervishi mysliman dallojnë shumë ndërmjet tyre nga ajo ç’ka kërkojnë?
Atë ditë kaluam plantacione të mëdha me ullinj, duke shkuar drejt detit. Pak përpara se të arrinim në Sarandë takuam një kasolle të mbushur me gjethe, të ngritur mbi trungje të vegjël me lartësinë 4,5 metra. Hipëm në shkallën e saj, duke befasuar banorin e vetëm të saj. Puna e tij, siç na shpjegoi ai me
një anglishte të dialektit të Maçausetit, të mësuar kur punonte aje në një fabrikë këpucësh, ishte që të vëzhgonte plantacionet ullinjve nga kjo “fole ajrore”!

Shperndaje ne
Updated: 18 Nëntor, 2016 — 00:19

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.