NORMALJA E ELBASANIT U HAP MË 1 DHJETOR 1909

12301549_1719974664904542_6880389487378959047_n
NORMALJA E ELBASANIT U HAP MË 1 DHJETOR 1909

prof_Zymer Mehani

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Pas Kongresit të Elbasanit, patriotët, klubet shqiptare brenda e jashtë atdheut dhe dashamirët e arsimit shqip, bënë përgatitjet e nevojshme, duke siguruar lokalet, mjetet, kuadrin pedagogjik dhe nxënësit për fillimin e punës së Normales. Kjo punë u kurorëzua me sukses, kur më 1 Dhjetor 1909, për herë të parë u hap Shkolla Normale në Elbasan, e cila e kishte edhe internatin për nxënësit që vinin nga jashtë Elbasani.
Drejtori i parë i Normales ishte patrioti i shquar shkodran Luigj Gurakuqi, ndërsa arsimtarët e parë qenë njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare, të shkolluar jashtë atdheut, si bie fjala, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza, hafiz Ibrahim Dalliu, etj.
Me rastin e hapjes së Shkollës, para nxënësve, arsimtarëve dhe popullit të tubuar, Gurakuqi në fjalimin e tij, ndër të tjera kishte theksuar: “ Shqipëria u lëkund e tëra nga zëri i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndërsa djemtë tanë rodhën nga të gjitha viset e Shqipërisë (kjo nënkuptonte të gjitha trojet shqiptare) e u derdhën këtu në Elbasan…
Jo vetëm nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para ndër tregimet kombëtare e ndër luftërat e gjuhës, por më fort nga Gegëria e Sipërme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë përjetë, na erdhën mjaft nxënës sa që mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnjë kënd të Shqipërisë që të mos të ketë këtu brënda përfaqësuesin e vet”.
Pas Gurakuqit, drejtorë të Normales ishin edhe Aleksandër Xhuvani (emrin e të cilit e mbanë sot Universiteti i Elbasanit), pastaj Sali Ceka (nga Camëria), Ahmet Gashi (nga Kosova), Vasil Komani, etj, të cilët ishin edhe professorë të asaj Shkolle.
NXËNËSIT E PARË KOSOVARË NË NORMALEN E ELBASANIT
Normalja e Elbasanit kishte karakter mbarëkombëtar, jo vetëm pse pranonte nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, të të tri besimeve fetare, por edhe për nga përmbajtja e lëndëve mësimore për formimin patriotik të personalitetit të mësuesve të ardhshëm. Normalja e Elbasanit u bë një unazë e forte e boshtit kurrizor etnik të shqiptarëve.
Nëse kemi parasysh kohën dhe gjendjen e kombit tonë nën sundimin otoman dhe veprimin agresiv të shovinizmit ortodoks grek e sllav, mund të merren me mend peripetitë e sigurimit të kushteve, të kuadrit e të nxënësve për të filluar dhe zhvilluar mësimin. Patrioti Hasan Prishtina u angazhua shumë, duke shkuar në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës e duke propaguar për dërgimin e nxënësve në Normalen e Elbasanit.
Fillimisht Shkolla filloi punën me 111 nxënës, prej të cilëve 50 ishin nga Elbasani, ndërsa të tjerët nga të gjitha trojet shqiptare. Nxënësit nga Kosova dhe Shkupi mezi arritën në fillim të muajit shkurt të vitit 1910. Tubimi dhe udhëtimi i nxënësve nga Kosova deri në Elbasan nuk ishte aspak i lehtë në atë kohë. Ata udhëtuan 12 ditë derisa arritën në Normalen e Elbasanit, për të marrë emrin e nderit “normalist”, e më pastaj mësues.
Në Elbasan u pritën me enthusiazëm nga qytetarët, nga drejtori, nga pedagogët dhe nga nxënësit e Normales. Edhe me atë rast drejtori Luigj Gurakuqi mbajti një fjalim të zjarrtë. Nxënësit kosovarë u vendosën në Internatin e Shkollës, ku morën uniformat dhe materialet e tjera që ishin bërë gati për nxënësit. Nga Kosova në vitin e parë të Normales ishin regjistruar 16 nxënës.
Normalja si fidanishte e mësuesve, u bë tempull i vlerave dhe cilësive, që e bëri Elbasanin qendër arsimore, të dijes, edukatës dhe kulturës, që përmes mësuesve të përgatitur këtu, e të shpërndarë gjithandej në trojet shqiptare, rrezatoi e përhapi dritë e dituri. Fillimit të punës së kësaj shkolle do i shkonin (përshtateshin) shumë mirë vargjet e Naimit, të thëna me rastin e hapjes së Shkollës së parë shqipe (fillore) në Korçë (më 7 mars 1887, që tash merret si dita e mësuesit):
“Hapu, hapu errësirë;
Pa jakë tëhu o dritë;
Se arriti kohë e mirë;
U gëdhi nata – u bë ditë!”
Ngjarjet, luftërat që u zhvilluan më vonë, veprimet e armiqëve të kombit tonë greko-sllav, por edhe reaksioni xhonturk bënë që Normalja e Elbasanit disa herë të ndërpret punën, por me angazhimin dhe nën presionin e popullit dhe patriotëve shqiptarë, ajo ringjallej e ngritej si feniksi, e fillonte dhe vazhdonte punën përsëri.

Shperndaje ne
Updated: 2 Dhjetor, 2016 — 00:22

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.