Letërsi Kombëtare: ENDE……

ENDE……
Ende kjo tokë dridhet nga ushtri e krajlit
Nga hapat e rëndë të çizmes së barbarit
E n’fushat e gjera të Kosovës vigane
Gjer në qiell harlisen lulëkuqet dardane
Dhe livadhet bleroshe e brigjet e vendit tim
Na joshin me bukuritë e tyre ty dhe mua shqim
Dhembjet që përjetuam në t’robërisë mynxyrë
Kanë mbetë në kujtesë, t’i harrojmë është vështirë
Llahtari që ndodhi përsëritet n’ëndrrat tona
Kur vritej e digje Nënë Kosovë e jona
S’e harrojmë kurrë gjakun që rrodhi pika- pika
E plagët ende janë t’kuqe dhe djegin si syri nga kripa
As lotët s’na janë terur që si litarë pikuan
Gjëmat dhe mallkimet e nënave tona s’i harruam
Ende digjen fshatra e rrënohen qytete
Ende kallen grunaja e hapen hendeqe
I shohim kur bijmë në gjumë, na kaplon trishtimi
Ende t’ndryrë në zemra janë buzëqeshja e gëzimi
Ende shkallmohen portat tona në stuhitë e natës
Ende vriten foshnjat tona nga bishat e Karpatës
Tëgjitha këto krime ne i shohim sërish
Kur jemi duke fjetur, ankthi gjumin prish
Era e shpërndan hirin në lulëzimin e pluhurit
E lulëkuqet harlisen me ngjyrë të purpurit
Si rektimë e ndrydhur që del nga gremina
Ende ndjejmë shqetësimin që vret si vetëtima
Ende zemrat tona janë copa e grima
U harroftë emri LUFTË, kurrë mos u dëgjoftë
Me paqe dhe liri njerëzimin Zoti e bekoftë

Autor: Zymer Mehani

Shperndaje ne
Updated: 9 Janar, 2017 — 19:56

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.