Letërsi Kombëtare: Namik Selmani- “Me duart nga varret e pagjetur…”

Me duart nga varret e pagjetur…
Kushtuar të zhdukurve në Luftën e Kosovës Më 30 gusht të çdo viti në Kosovë është Dita e të Zhdukurve Ofshama e shkronjës.

Nga Namik Selmani
me 06/08/2017  

Ma nxjerr klithmën e gjoksit

E jam bërë si sonambul në një tokë plagëhapur

E në duar më mbetën hartat e zverdhura të kombit

E në deje

Më vjen kënga e pathënë si petale e çelur zambaku

E lulet

U vyshkën në duar, në kurorat me kordele

E loti u tha

Në kroin e syrit nga pritja pa fund.

Heeeeeej, kur do ta gjej djalin e fshehur në zabele?

T’i nis vajit Me fjalë që bien si gaca në prush.

M’u mbushën duart

Me kokrriza dheu të baltosur, të hirnosur Sytë m’u gropëzuan si në humbëtirën e natës.

O qiell, o hënë

Që ndrini në qiellin e nxirosur

Oooooo, ma thoni një fjalë, bre, për varrin e munguar të bacës!!!

E duart I paskam të vogla, të dridhura kur gurët shpuploj

E në gjunjë ulem

Si në namazin e drekës me burra mëhalle.

Ku janë ata???

Ooo, i ende përballë vetes gjëmime topash dëgjoj

Tek shoh Kullën e Jasharajve të djegur nga zjarre.

Qielli

Po më duket si oxhak kulle a saç ku gatuhet fli.

Toka po më digjet si prushnajë vullkani

Pres të më zgjohet brenda vetes si një rreze në prill.

Dhimbja po ma hollon çdo damar gjaku te shtati.

Selvitë thahen pa u mbjellë në murrana lufte

Në pragjet e kullës zgjoj hapin, këngët e urimin e shenjtë.

Po nxirrni bre, nxirrni nga gërmadhat djepet me lule

Për dasmat e vjeshtës i vini curlet dhe tupanat në rresht!

Shperndaje ne
Updated: 13 Gusht, 2017 — 19:23

The Author

Namik Selmani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.