In Memoriam: NDAL GJNOCIDIT NDAJ SHQIPTARËVE…!!!

Në shenjë përkujtimi të masakrave serbe në Kosovë që të mos i harrojë kurrë mbamendja kolektive shqiptare dhe homazh për viktimat e çmendurisë njerëzore..!

Poezi nga Kasam ShAQIRVELA

DARDANI TI PLAGA IME E HAPUR
( baladë për dhimbjen )

Shumë gjenocide gjatë historisë
Dardanisë sime m’i hapën plagë
më çuan dhe mua të bredhë botës
më krijuan edhe të thella vragë.

Të pashlyeshme për timen jetë
shpirti labirinth e zemra shpellë
paguar shtrenjt me sublimen vetë
dhimbja ashtit ç’m’u fut thellë.

I mbajta me vete në kujtesë
qëndresës sime për mbijetesë
jam po ai ashti që mbij aty
për tokëzezën o nënë Shqiptari.

Mot për mot ia vë ballit nga një rrudhë
ballit tim të ngjyer me atë bojë të allit
çdo pranvere më del për të marrë udhë
rrugët i bien fushës a mua më qesin malit.

Bukën time të gojës, përherë në mungesë
e gatuaj vetë prej syve të mbushur në lotë
dëshira e shpirtit po ma pjekë në shpresë
fatin tim të kalvarit, sikurse dje dhe sot.

Nuk arrij dot për ta shijuar motmoteve
se prushi i zemrës, në flakë po ma djeg
bukën e djersës sime o Dardani e Lokeve
e hambarët e gjyshit as vera nuk m’i pret.

Që nga Lufta e Trojës, pandalur gjer tani
ky zjarr fort i moçëm që është dhe hyjnor
qëkur titani Promethe në flijim për njerëzi
ia dha peshqesh ai gjenit të vet njerëzor.

Që pesë mijë vjet… jam duke luftuar…
me bajloza deti që nuk kanë të fundosur
për ato plagë të hapura që t’i kan shkaktuar
ndonse mbytur deit, shpresa s’m’ësht’ sosur.
Sepse, këto plagë, janë të thella,janë të rënda
edhe pse përpiqem unë për të t’i numëruar
në çdo shekull, ku jam, po më prishet ëndrra
dhe, sa plagë të vjetra bashkë i kemi kuruar.

Por dhe sa të reja, sërish,që çelin me pranverën
qenë të rënda dhunat që nuk i duronte as guri
dhe të mëdha dhimbjet që e thanin vet’ drurin
përdhe s’të rrëzuan dot, s’ta mbarsën as trurin.

E ti Dardani durove sikurse të ishe Promethe
o ti i lashti im, ti shumë i shtrenjti Atdhe!
veç ti e din se si i mbijetove murlanit e furtunës
dhe kurrë s’pranove të bëheshe plaçkë e dhunës.

Sepse, çështja yte është çështje e të vërtetës…
e mban mend se sa herë u dëbove nga trojet e tua…
dhe sa herë u rrokullise, spartançe, greminave të jetës
por, kurnjëherë nuk mbete as kurm në ndonjë përrua.

Madje dole fitues, si gjithherë, ndonëse i sulmuar
Por edhe prapa shpinës qe shpesh i tradhëtuar…
Si nga pushtuesi i huaj e si nga i yti i pabesë
Por zoti yt nuk e bëri si që dashtën ata, të të vdesë.

Si përherë, nga hordhi karpatesh qe i mësyer
sikurse dimra lisash mbushur në kraneza
bishat me gjenin paskarpatian të ndërsyer
që Ty t’i bënë, finokçe, njëmijë e një të zeza.

Kosovë(Dardani), ti plaga ime e hapur
ti qielli im i qëndisur me të artat yje …
për qepalla fort mbahu diellit kapur…
ti qofsh e zgjuar ndër pranvera t’blerta
gjithmonë polemi t’u gëzoftë në ditë lirie!

Shperndaje ne
Updated: 15 Janar, 2022 — 11:26

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.