Letërsi Kombëtare: Atdhe GECI – THOTI NGA ROGANA

THOTI NGA ROGANA

Banner Autor: Atdhe Geci

Ndodhem te Guri i krenarisë së fshatit
aty ku natyra të bën të kesh emocione
në këtë bukuri të bekuar të Dardanisë,
prania e erës nëpër gjethe të pemëve
e lajmëron një ditë vërtetë të bukur,
një ditë me tinguj e muzikë të gjelbër.
Fjalët e dashurisë janë ato të lashtat;

më do, të dua! S´më do, e gjej timen,
janë të njëjtat prekje dhe, përqafime!


Nuk i gjej mangësi rritës në Roganë
gjak dashurie më pikon në kraharor
një ushtimë gurësh ngrihet nga toka
nga një luftë e ashpër e gjithë qenies.
Nga e çdoditshmja i mbushim kupat
që të mos biem në vetminë e pafund
puthjet e ditës së sotme nuk i lëm
për nesër, të dashurosh do të thotë të
duash, të duash do të thotë të lindësh!…

Të tëra ditë e jetës janë për të jetuar,
për ti dhënë gjak të mirës, të bukurës,
të jesh poet do të thotë të bësh vepra
dhe të kesh fuqinë të krijosh këngë,
dhe të kesh fuqi ta duash vendin tënd.
Takimet me dashuri janë të ëmbla,
janë frymëzime çastesh për të jetuar,
është dashuria, përflakja e zemrave
për tërë ata që faqet i kanë trëndafil.

Asgjë s´ka më të përjetshme se gruri
Se fruti yt i mollës në arat me plisa
Je bukë dhe mollë, lule dhe kumbull.
Je misër dhe grurë, -natyrë dhe libër.
Roganë do të thotë, lindëse e jetës
Roganë do thotë ta duash atdheun,
Roganë do të thotë kallinj ylberesh
Roganë do të thotë, identitet dardan.

Atdhe Geci

Shperndaje ne
Updated: 29 Tetor, 2022 — 12:41

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.