PËRKATËSIA ETNIKE E EPIROTASVE

Karte_der_Präfektur_Illyricum
Shkruan: Ejup Ramadani

Ndërmjet shkencëtarëve ekzistojnë dy mendime të kundërta përsa i përket përkatësisë etnike të popullsisë së Epirit: i pari i konsideron epirotët si popullsi etnike ilire dhe i dyti që i konsideron si grekë.

Epiri i vjetër përfshinte krahinën nga malet Akrokeraun (Vetëtimës) në Himarë, në veri deri te gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug, prej brigjeve të detit Jon, në perëndim deri te vargu i Pindit në lindje.

Emri Epir që në gjuhën greke do të thotë tokë – sterë – kontinet, është emër me të cilin banorët e ishujve i quanin viset përballë tyre, mirëpo ky emër përdorej gjithnjë e më pak në mesjetë. Në vend të Epirit burimet përdorin termin Nikopojë, emër i kryeqendrës së themës së Nikopojës ose me emrat e krahinave përreth: Thesalia, Etolia dhe Akarnania. Ndonjëherë është përdorur edhe emri “Vegenetia”, emri mesjetar i Tesprotisë së vjetër ose i Çamërisë së sotme.

Në kohën e vjetër disa burime flasin për fiset kryesore që banonin në Epir, siç ishin kaonët, molosët, thesprotët etj. Edhe në luftën e Peloponezit (432-404) këta fise paraqiten si entitete politike më vete dhe marrin pjesë si aleatë të Spartës ose Athinës.

Gjatë sundimit të mbretit Tharypa (430-390) molosët krijuan një bashkësi politike që njihet me emrin “Lidhja molose”. Kah mesi i shekullit IV, mbreti Aleksandër Molosi (342-331) i nënshtroi edhe thesprotët dhe u formua “Aleanca e epirotëve”. Kjo bashkësi kishte karakter federativ me të drejta të barabarta për të gjithë, por nën një mbret nga dinastia e molosëve. Që nga kjo periudhë ky emër do të shfaqet si një nocion politik dhe gjeografik. Ky proces politik siguronte barazinë ndërmjet fiseve pjesmarrëse në federatë.

Zhvillimin më të madh Epiri e arriti nën udhëheqjen e mbretit Pirro (307-271), përmes të cilit u realizua bashkimi i plotë i shtetit i cili u bë një fuqi ushtarako-politike që u shtri edhe jashtë kufijëve natyrorë, si në krahinat e Maqedonisë, Thesalisë, Ambrakisë dhe Akarnanisë.

Pas vdekjes së Pirros Epiri u dobësua mjaft. Vendin e mbretërisë së Ajakidëve e zuri Lidhja e Epirotëve, e cila përfaqësonte një sistem republikan, por nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm.

Më 167 Epiri ra nën sundimin romak, kurse më 145 u përfshi në Provincën e Maqedonisë, që bënte pjesë në sistemin administrativ shtetëror romak. Në fund të shekullit të II Epiri ishte provincë në vete, kurse në fund të shekullit të III, me reformat administrative ushtarake të perandorit romak Dioklecianit, u krijua provinca e Epirit të Ri me krahinat ndërmjet Vjosës dhe Matit, kurse trevat e tjera të Epirit u quajtën provinca të Epirit të Vjetër. Të dy këto provinca bënin pjesë në Prefekturën e Ilirikut.

PËRKATËSIA ETNIKE E EPIROTASVE
epirus-phyrrus
Ndërmjet shkencëtarëve ekzistojnë dy mendime të kundërta përsa i përket përkatësisë etnike të popullsisë së Epirit: i pari i konsideron epirotët si popullsi etnike ilire dhe i dyti që i konsideron si grekë.

Historiani i njohur francez Gustav Glotz për Greqinë thekson:

“Greqia e mirrëfilltë nuk është veçse një pjesë, as më e pasura dhe as më e madhja e tokave që u bënë greke. Është një vend i vogël… Në të vërtetë, të vjetërit nuk kanë qenë aspak dakord për kufijt e saj. Ata përfshinin këtu Thesalinë për të përjashtuar zakonisht Epirin dhe gjithmonë Maqedoninë. Greqia e vjetër është pra, pak a shumë, tërësia e kantoneve që gjinden në jug të një linje, që tërheqin nga gjiri i Ambrakisë deri në grykën e Peneut”.

Për këtë problematike kemi burime të vjetra edhe nga Herodoti, i cili në librin e tij sjell dy fragmente: në të parin përmend një molos me emrin Alkon, i cili ishte ftuar nga tirani i Sikyonit, Klthsteni, njeri i pasur që donte të martonte të bijën Agaristën me një djalë që ishte më i mirë midis grekëve. Kjo e dhënë e Herodotit u ka dhënë kurajo përkrahësve të teorisë së origjinës greke të epirotasve. Në fragmentin tjetër Herodoti e mohon praninë e një molosi në këtë ceremoni.

Edhe në luftërat greko – persiane molosët nuk bëjnë pjesë midis grekëve që shkuan në mbrojtje të Sallaminës. Historiani tjetër grek Thucididi në hyrje të veprës së tij “Lufta e Peloponezit” (432-404) thekson:

“Nga përpjestimet dhe rëndësia kjo luftë i kalonte luftrat e mëparshme dhe ishte kriza më e madhe që përfshiu jo vetëm grekët, por edhe një pjesë e botës barbare”.

Ashtu sikurse Herodoti edhe Thucididi i quan “barbarë” të gjithë popujt jogrekë. Ky i fundit na jep një pasqyrë të qartë të gjeografisë etnike të këtij rajoni. Në vitin 429, shkruan ai,

“…ambrakasit së bashku me shumë barbarë të tjerë marshuan kundër Argosit të Amfilohisë dhe gjithë Amfilohisë tjetër; banorët e tyre greqishten e kanë mësuar nga ambrakasit e ardhur; amfilohët e tjerë janë barbarë, në këtë ekspeditë nga barbarët ishin: kaonët, thesprotët, molosët, atintanët, paruejtë dhe orestët”.

Shkencëtarët thonë se kur kolonistët grekë u vendosën në Korkyrë u detyruan të ndeshen me qëndresën e ilirëve – liburn, të cilët e zotëronin këtë ishull.

Historiani grek i shekullit IV Efori ashtu si Herodoti dhe Tukididi thotë:

“nga ana e perëndimit Hellada fillon me Akarnaninë, sepse kjo ndeshet e para me fiset epirote”.

Pra, sipas burimeve historike emri Epir haset kah mesi i shekullit IV në hapësirën gjeografike buzë detit JON, ndërmjet gjirit të Ambrakisë dhe maleve Keraune, në lindje deri te vargmalet e Pindit ku bënin pjesë fiset si molosët, kaonët, thesprotët etj.

Edhe shfaqja e kolonive helene nuk e ndryshoi karakterin etnik të popullsisë vendase, e cila mbeti si edhe më parë “barbare”. Shteti i Epirit në asnjë dokument nuk përmendet si shtet grek. Ai i takonte trungut etnik ilir.

FISET SHQIPTARE TË EPIRIT

Dyndjet sllave të shekullit VI-VII sollën ndryshime të mëdha në aspektin etnik në Ballkan, që nuk u vërejtën shumë në Epir, pasiqë popullësia vendase u ruajt nga pushtimi i tyre.

Pas pushtimit të Konstantinopojës nga kryqëzatat, fisnikët bizantinë u strehuan në Epir, sidomos në Janinë, ndërmjet tyre edhe Mihail Engjëlli, i biri i qeveritarit të dikurshëm të Epirit, që tentoi të krijonte një perandori të vogël bizantine.

Më 1358 në Epir u vendos pushteti i familjeve të mëdha shqiptare si Gjin Bua Shpata Zenebishti dhe Losha. Kur në pushtet, në Epir, erdhi sunduesi italian Karl Toko, dëboi princët shqiptarë, kurse pronat e tyre ua shpërndau përkrahësve të tyre.

Më 1346 Epiri ra nën sundimin e sundimtarit serb Stefan Dushanit. Politikën e shfronësimit e ndoqën edhe normanët dhe anzhuinët.

Në fund të shekullit XII në këtë territor përmendet familja e njohur e Shpatajve të Epirit dhe e Zenebishëve. Historiani bizantin Kantakuzeni përmend fiset shqiptare që banonin ndërmjet Epirit dhe Thesalisë: Buavët, Malakasët dhe Mazrekët.

Principatën e Gjin Bua Shpatës burimet historike e quajnë “Despotati i shqiptarëve”, që u krijua nga mesi i shekullit XIV dhe që përfshinte Epirin jugor.

Emërtimi etnogjeografik “Shqipëri” gjithnjë e më shpesh nga shekulli XIV filloi të zëvendësojë emërtimet si Epir, Nikopojë, Etoli, Akarnani.

Dokumentet e të njëjtit shekull pjesën e kontinentit përballë ishujve të Korfuzit e të Leukadës, deri te gjiri i Ambrakisë në derdhjen e lumit Akelos, e quajnë “Albania”.

Dy princët shqiptarë, Gjin Bua Shpata e Gjon Zenebishi që sunduan nga Gjirokastra dhe Himara e deri në Akarmani cilësohen si “Sundimtar të Shqipërisë”.

Duke filluar nga shekulli XVI autorët evropianë e njihnin Epirin deri në gjirin e Amrakisë si provincën më jugore të Shqipërisë (“Shqipëria e Poshtme”), emërtim që do të ruhet deri në shekullin XX.

Një emërtim të tillë do ta bëjnë edhe Marin Barleti, Frang Bardhi etj. Në një dokument, Skenderbeu do të theksojë se “ne jemi epirotë”.

Kartografi i njohur i shekullit XVII I. Lavrenberg shkruan:

“Leandri dhe Eritrea na mësojnë se Epiri sot quhet Shqipëri. Banorët e tij, sipas Leonklavit, quhen shqiptarë, ndërsa turqit i quajnë arnautllarë. Epirotët ndahen në fise të ndryshme, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, si nga gjaku ashtu edhe nga gjuha”.

Kur flitet për karakterin etnik të Epirit në mesjetë nuk duhet nisur nga realiteti i sotëm i këtij territori. Gjatë shekujve XVI-XX këtu përmenden disa lëvizje të popullatës që kanë ndikuar në etnografinë e vendit, si p.sh. depërtimin e vllehëve prej maleve të Pindit dhe të Maqedonisë Jugperëndimore drejt ultësirës nga fusha e Delvinës deri poshtë në Akarnani, por kishte edhe prej atyre që u vendosën në territorin Janinë – Artë dhe që u greqizuan.

Regjistri osman i Sanxhakut të Vlorës, nahija e Gjirokastrës, i vitit 1520 shënon praninë e bashkësisë vllehe në fshatrat e Vodhinë e Llovinë dhe fshatrat që sot flasin greqisht në zonën e Dropullit e të Delvinës, që banoheshin edhe nga popullsia shqiptare.

Sipas disa studiuesve, pas vitit 1520, në Luginën e Dropullit erdhën nga Atika një popullsi helene apo e helenizuar. Me depërtimin e popullsisë greke në Epir vepronin me forcë edhe politika e helenizimit, ku bartës kryesor ishin shkolla dhe kisha greke. Kjo zonë u godit më shumë nga shpërnguljet e shekujve XIV-XV që ndikoi në përbërjen etnike të Epirit.

Shpërngulja e shqiptarëve të Epirit drejt tokave greke nisi që në gjysmën e parë të shekullit XIV, pas shtypjes së kryengritjeve shqiptare nga perandori bizantin Andronik III Paleolog.

Këto shpërngulje ndodhën edhe pas rënies së principatave të Shpatajve dhe të Zenebishëve, por me intensitet më të madh vazhduan pas depërtimit të turqve. Shqiptarët u vendosën në Atikë, Beoti, Livadha, Peloponez etj.

Megjithë shpërnguljet e mëdha, Epiri sërish mbeti trevë shqiptare. Edhe dokumentet veneciane të vitit 1444 popullsinë e rretheve të Pargës, Margëlliqit dhe të Janinës i quajnë shqiptarë. Më 1555 francezi Belon du Mans, pas vizitës që ia bëri Epirit, konstatoi se popullsia e kësaj treve ishte shqiptare.

Edhe admirali turk Piri – Reiz, në librin e tij të udhëtimeve thotë se popullsia e Pargës ishte shqiptare.

Dëshmi më të qartë për përbërjen etnike të Epirit paraqesin regjistrat osmanë si ai i Vlorës 1520, i Delvinës dhe i Janinës i vitit 1583. Sipas antroponimisë së pastër shqipe, shqiptarët dominonin edhe në zonat periferike të Epirit.

Këto dëshmi pranojnë se Epiri prej Mesjetës dhe deri në kohën e re ishte dhe mbeti territor shqiptar, pavarësisht nga emigrimi dhe imigrimi i shqiptarëve, vllehëve dhe grekëve.

Shperndaje ne

The Author

Ejup Ramadani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.