Bujanoc: Sindromi i çallmave në Luginë!

foto_lam_gipa_me_mediat

Kohëve të fundit, sindromi i Çallmave të Sanxhakut, po hetohet edhe te disa imamë dhe politikanë, në rajonin e Luginës së Preshevës.

Kjo dukuri ka zënë fill, shumë më herët, por kulmin e ka arritur para dhe pas përfundimit të zgjedhjeve të 24 prillit, në Luginë të Preshevës, me theks të veçantë në Komunën e Bujanocit.

Këto elemente fetare të fokusuara në proceset zgjedhore me flamuj, simbole, çallma, duke mos përjashtuar edhe imamllëkun e Luginës së Preshevës, të cilët fuqishëm garojnë në një shtet të krishter, ndonëse multinacional e konfeksional, ku Kryqi i bënë hije Gjysmë Hënës Islame.

Absurdi

Ndikimi i Çallmave të Sanxhakut në Luginë, krijoi një përçarje të madhe mes imamëve në këtë rajon, që gjente përkrahjen interne edhe të Nagip Arifit dhe Ragmi Mustafës, ish kryetarëve të komunave në Bujanoc dhe Preshevë.

Këta ish kryetarë, mbështetësit më të mëdhenj të çallmave në Sanxhak dhe Luginë, njëri prej tyre madje edhe kuadër shkencor i Sanxhakut, në mënyrë perfide manipuluan me zgjedhjet parlamentare, duke ia prishur në Bujanoc, mijëra fletëvotime Listës për Pajtim, të Muamer Zukorliqit.

Manipulimi

Përkundër manipulimit me votat parlamentare, Nagip Arifi i PD-së, pa fije turpi, vë në lëvizje hoxhallarët – Çallmat, për ta ndihmuar në procesin e formimit të Koalicionit qeverisës në Bujanoc.

Nuk pajtohet lehtë Nagip Arifi, me humbjen e pushtetit dhe medoemos provon për të qenë pjesë e tij, ngase nuk i pëlqen jeta opozitare.

Si nuk u kujtua ky farë ish kryetari, në vitin 2012, gjatë mandatit të kaluar, t’i bëj bashkë shqiptarët, siç po angazhohet tashti, kur i la në opozitë 18 këshilltarë. E sot derdh lot krokodili në emër të unitetit dhe unifikimit të faktorëve politikë shqiptarë, duke i angazhuar hoxhallarët dhe misionarët e tjerë, rreth këtij procesi, të cilët i ka shfrytëzuar me pedanteri, që nga viti 2002, kur erdhi në pushtet me dajak, daulle e zurne.

Po sikur ta kishte pasur me zemër unitetin e faktorit shqiptar, Nagip Arifi, nuk do të kishte vepruar në zgjedhjet e 2012-ës, ta ndaj pushtetin me “pobratimët” e tij gati përgjysmë, kur për herë të parë gjatë historisë së Komunës së Bujanocit, shqiptarët arritën t’i kenë 30 ulëse në parlamentin lokal. Ku ishin atëherë Çallmat?!

Atëherë, si sot, Nagip Arifi, nuk kishte nevojë për ndihmën e hoxhallarëve, sepse partia e tij i kishte 12 këshilltarë, po aq sa i ka PVD-ja, në këto zgjedhje.

Nagip Arifi, duhet të heq dorë nga manipulimi me hoxhallarë, ngase nuk ka nevojë për ndihmën e tyre, ai në fakt, ka nevojë për ndihmën e sistemit Gjyqësor dhe të atij

mjekësor, për t’i rregulluar gabimet institucionale dhe sjelljet arrogante e poshtëruese ndaj rivalëve të tij politikë. Të shkoj në opozitë dhe ta shijoj bukën e hidhur të saj.

Porosia

Hoxhallarët e Luginës së Preshevës, e pikërisht ata të Komunës së Bujanocit, duhet së pari ta kultivojnë ndjenjën e unitetit dhe unifikimit përbrenda organizimin e jetës fetare, e më pas të kërkojnë unitetin e faktorit politik. Bile, faktori politik, për çka po angazhohen hoxhallarët, ta bëjnë bashkë, ka qenë fajtori kujdestar i përçarjes së klerikëve fetarë, duka i ndarë ata në dy e më shumë taborre, ashtu siç janë të ndarë vetë në shumë parti.

Koalicioni i qeverisjes lokale në Bujanoc, do të zgjidhet, ashtu siç është zgjedhur në Preshevë, pa zhurmë, intervenime, shantazhe etj.

Vota e qytetarëve është sovrani dhe ata që e kanë marrë votëbesimin, nuk duhet të bien pre e manipulatorëve, profiterëve dhe dallaveraxhinjve, por t’i përmbahen afateve ligjore për konstituimin e kuvendeve komunale.

Në politikë kanë të drejtë të hidhërohen ata, që e kanë humbur betejën zgjedhore, por nuk kanë të drejtë t’i bllokojnë proceset politike për ndërtimin e institucione të reja, të dala nga zgjedhjet e 24 prillit.

Në këto parime duhet të mbështeten edhe ata hoxhallarë, të cilët i kanë vetes siklet për ta mbajtur edhe një mandat Nagip Arifin, funksioner komune, pas tre mandateve me radhë, ku ai, qeverisi si kryetar i komunës. A nuk është kjo paksa e tepërt?!

Nëse kështu vazhdohet me avazin e vjetër, që nuk është në traditën e Islamit, atëherë lind pyetja e arsyeshme: Kujt i shërbejnë, sot, çallmat në Luginë?!

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc/Shkeputur nga: KosovaLindore

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.