Letërsi Kombëtare: PËRUROHET LIBËR PËR BIRIN E LURËS, LEKË ZEF RAJTA…

Botimi_0

1.

Në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet, u vendos qetësia. Ajo ishte tejmbushur nga të ftuar të ndryshëm, me banim në Tiranë, por edhe jashtë saj, bile, deri nga Prishtina. Siç është bërë praktikë e njohur, atë e hapi një nga anëtarët e panelit përkatës. Pastaj nisën diskutimet, njëri pas tjetrit,

Duke mos e ruajtur radhën e tyre, po përmendi emrin e poetes Dodona Qose. Nuk e di se kush e kishte ftuar atë në këtë veprimtari përuruese, por fjalët e pakta dhe domethënëse të saj, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve dhe e duartrokitën nxehtësisht. Pak a shumë, ajo u shpreh kështu: “Kur hyra në hollin e Muzeut, më pritën me përshëndetje, një burrë e një grua. Pak më tej, me një libër në dorë e një “sidi”me këngën “Kulla e Rajtës”, ishte një vajzë buzagase. Ajo m’u drejtua: -Mirë se erdhe! Lutem, merreni këtë libër, që i kushtohet gjyshit tim dhe këtë “sidi”!-E  falënderova përzemërsisht atë mikpritëse dibrane dhe ja, tani po e nderoj para jush, jo vetëm gjyshin e asaj vajze, për të cilin, nga autori i njohur Nikollë Loka është shkruar, posaçërisht, libri “Lekë Rajta, burri i madh i një dere të njohur”, por dhe tërë pasardhësit e tij!…”

Moderatori i kësaj veprimtarie, Osman Vladi u ndal në disa tradita dhe merita të derës së njohur të Lurës, Rajta, të cilat u pasuan brez pas brezi, por dhe për trashëgiminë, që e ruajti dhe e çoi më tej, “burri i madh”, Lekë Rajta. Më tej, Dr.Shkodran Isufi, redaktor i librit, studiues në Institutin e Historisë,në Prishtinë, e “shkoqiti” përmbajtjen e tij. Ai kishte bërë një punë serioze  me lëndën e hartuar nga autori Nikollë Loka dhe, së bashku,  e sollën atë në gjendjen përfundimtare e ua dhanë në duar, jo vetëm familjarëve të Lekë Rajtës, por një rrethi të gjerë lexuesish.

Shënojmë këtu se libri përmban 363 faqe tekst dhe shoqërohet me 40 faqe tjera me lustër, ku janë “Faksimile-Dokumente arkivore” dhe, në mbyllje, “Jeta përmes fotografive”, të gjitha me ngjyra. Recensent është studiuesi i njohur, Ramiz Lushaj; është venë në qarkullim nga SHB “Ermal”, me Design&Ballinë, të Rezarta Merjes.

Botimi-1

Ky libër hapet me një “Falënderim”, nga Bardhok Lekë Rajta dhe me “Hyrjen” e hartuar nga Nikollë Loka, “Në kërkim të madhështive të Lurës”, ku spikatin disa nga traditat e lashta dhe të reja të kësaj krahine të bukur, atdhetare e liridashëse, e pasur në të folur dhe etnokulturë, me burra e gra mikpritës e bujarë etj. Ndërsa autori ndalet, posaçërisht, si për të na “çelur derën”  e tërë librit, me pjesën “Burri i madh i një kulle me emër, Lekë Zef Rajta”. Jeta e tij shfaqet  para lexuesit me thjeshtësinë, por edhe me madhështinë e saj, kudo që ai jetoi e punoi, në çdo detyrë që iu besua, deri sa e  mbylli jetën, me nder e krenari të ligjëshme.

2.

Kur ndodhesh në një sallë, si kjo e sotmja, ku secili dëshiron të ngrihet e të flasë, e ndjen veten “ngusht”, që të shënosh frazat më të zgjdhura të folësve të shumtë. Në një bllok të vogël, arrita të rendisja emrat e atyre, që dolën në foltore, bashkë me ndonjë mendim të shprehur. Kërkoj ndjesë, në se nuk do t’i përmendi të gjithë këtu!

U ndjeva mirë, kur pashë në panel, por dhe që foli për Lurën dhe mikpritjen e banorëve të saj, mikun tim prof.Bardhosh Gaçe, nga Vlora. Dikur, ai e kishte vizituar atë krahinë, por dhe sot nderoi personazhin kryesor të librit, Lekë Rajtën.

Po kështu, bëri homazh për trimin luftëtar, Elez Isufi e “Artistin e Popullit”, Azis Ndreu dhe për burra tjerë të shquar të asaj ane të Atdheut tonë.  Mbresa interesante solli për pjesëmarrësit ish-shefi i seksionit të arsimit e kulturës, Beqir Shehu. Me fjalor të zgjdhur diskutoi  prof.Mark Tirtja-Akademik, i cili u ndal në vlerat e këtij libri në fushën e etnokulturës, bashkëjetesën shembullore fetare dhe vëllazërimin e banorëve me besime të ndryshme etj., të cilat janë qëmtuar e pasqyruar me mjeshtëri nga autori.

Botimi_2

Për një veçori dalluese të Lekë Rajtës, pra luftëtar për lirinë e demokracinë, foli Gjokë Lleshi. Ndërsa Mark Cani dëshmoi se ai u shqua në pajtimin e hasmërive e gjaqeve, plagë të hapura të së kaluarës, deri në ditët tona. Vetëm në vitin 1967, ai mori pjesë aktive në pajtimin e 17 gjaqeve në krahinën e Lurës. Radhazi, njëri pas tjetrit, folën para pjesëmarrësve: Skënder Doçi, Sali Ajazi, Mimoza Tola, Besnik Doda, Ismail Erebara, Tomë Kola, Pjetër Lleshi, telekronisti Xhelal Marku etj.

Me emocione u ndoqën fjalët falënderuese, nga i biri i Lekë Rajtës, Bardhoku. Ai theksoi që janë të nderuar dhe të respektuar të gjithë familjarët, në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, si me botimin e këtij libri dhe veprimtarinë e bukur, që u organizua.

Pasi pjesëmarrësit ndoqën një dokumentar, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së pasur të Lekë Zef Rajtës, ata morën pjesë në koktejin e shtruar nga familja dhe bënë fotografi të përbashkëta, që janë një kujtim i paharruar, nga kjo ditë mbresëlënëse.

Murat_gecaj

Nga: Prof.Murat Gecaj
publicist e studiues
Tiranë, 1 gusht 2016

 

Shperndaje ne
Updated: 2 Gusht, 2016 — 05:57

The Author

Dr. Murat Gecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.