Arti dhe Kultura Kombëtare

H E R O I K A

Poemë për Kryengritjen e vitit 1981

Tek po pija  kafenë e mëngjesit
një zë  shumëzohej  nga  qyteti
lashë kafenë, dhe dola në rrugë
në  Prishtinë  kudo  kryengritje
 
Ajo këngë e zëshme e Kosovës
ai zemërim gjigand i studentëve
bekimin  e  kishte  nga  populli
nga vuajtja e tij dhe padrejtësia
 
O sa heroik ishte  himn i rinisë
O sa e bukur mu duk Prishtina
Me tëra ato duar të bëra grusht
E pashë urtësinë e një vullkani
 
Unë, më i vogli poet i Kosovës
një qytetar i thjesht dhe pa tituj
mblodha vet disa pika të gjakut
që ai Marsh i lirisë  të shkruhet!..

2
————————————
 
Studentët, loçkat  e  shpirtit
më të mirët  e kombit, më të
dashurit; më të patremburit
thyen xhama, pasqyra, orendi
goditën figurën e pushtuesit
për  ta  nxjerrë  në  shesh  të
vërtetën, dhe atë ferr të bërë
Në kryengritjet 1968 – 2000
mbi rininë trime të Kosovës
u sul e gjithë ushtria e serbit
individ të muzgut, karkalecë
polic me medaljone krimesh
njerëz me urejtje të pëtejme
specialistë  të  ndëshkimeve
titistë  me  babë  dhe me  bir
udbëistë të çajtoreve, berberë
miq të armiqve të sofistikuar
drejtorë bankash, komunistë
gjykatës me  pozita  në  shtet
iu vërsulën rinisë së Kosovës
moshës  sonë   më  trimërore…

3
———————-——————–

Në ato vite të kryengritjeve
dhe të urtësisë së  vullkanit
Një  natë  në  Prishtinë ; në
Tavnik e në Ferizaj; në Pejë
e Prizren ; në Gjilan dhe në
Gjakovë; në Tetovë e Ulqin;
në Prizren e Skënderaj, në
Preshevë e Kumanovë; në
Mitrovicë dhe në Medvegje
edhe ëndërrat kullonin gjak…
Pra, prej se njihen të mbjellat
dhe prej se njihen të korrat
Kosova të bukurën e saj e ka
në gjuhë, në armë, në luftë
flisnin gjyshet dhe gjyshërit…
Në  traktet   e  viteve  1981
të çdoditshme ishin thirrjet;
vullneti popullit nuk shkilet
vullneti i popullit nuk jepet
vullneti popullit nuk shuhet
as me tanke, e as me burgje!..

4
—————————————–—-
 
Në ato vite  të  pushtimit  serb
shqiptarët ishim të  kërcënuar
natën, ditën, në rrugë, në punë
sulmoheshin  shkollat  shqipe
sulmohej mielli  dhe buka, uji
dhe pemët, mësuesi  dhe  libri
emri dhe mbiemri, prejardhja
sulmoheshin  veshjet, dasmat
kostumi dhe  veturat, punët  e
ditës, ndenjat  e vona, njerëzit
e zakonshëm, të  mbjellat dhe
bujku, të drejtat e festave, dhe
fëmijët tanë arrestoheshin, sa
herë festonim festat e betejave…
Në ato  vite  të  pushtimit serb
serbët pakicë  na gjenociduan
të  përkrahur   nga   Beogradi
shtienin në çdo  gjë  shqiptare
vrisnin që  të shpërnguleshim
nga  tokat  tona   stërgjyshore
Në ato vite të  gjenocidit  serb
në sofër të familjes  shqiptare
mungonin  fëmijët, shija  dhe
ngjyra, e  një  Kosove  të  lirë!
 
5
———————————————-

Në  Kosovën   e  atyre  viteve
Prishtina,  kryengritësja  jonë
u ngrit lotët  t´i kthejë në gurë
në grushta, në armë, në beteja
Zullumi këputet  prej  s´trashi
shkruan  në  librin  e  urtësisë
Prishtina , trimja   e  Kosovës
ajo pështynë ekranin e televizorit
natën e  zezë  pis, dhe  ngritet
shtypjen me  grusht  ta  mbys!..
Vlimeve të mëdha të Kosovës
Kryengritja kudo na  thërriste
të bëhemi me  më shumë duar
të bëhemi më me shumë zemra..
Preshevë, Shkup, Ulqin, Tetovë
të mblidhemi në sheshet tona
që Kosovën  ta  bëjmë  të lirë
të bukur  dhe  të  përbashkuar!..

6
——————————–———-

Kosovë, bëje  dorën  zemër
është  çasti  i  sprovës  sonë
mbaje sqimën, mos u tremb
Prishtina  sonte s´ ka gjumë
ajo na do të jemi  në  betejë
dhe kudo ku ka  një  prangë
të  shtjejmë mbi pushtuesin…
Unë, më  i  vogli  poet i Kosovës,
më i vockli, një qytetar i zemëruar
i mblodha  ca pika të gjakut
që kjo poemë t´mos humbet…
Kosovë, sonte nuk jam shkrimtar
sonte jam i njëjtë si gjithë të
tjerët, kam  aq  gjak  në trup
që të jem  së  bashku  me  ju…
Prishtinë, e bukura e atdheut
këngën mos  e  le  të  të  ikë
mbaje  fort,  dhe  shtrëngoje
është gjakja  jonë  e  shpirtit…

7
————————————–

Liri, tek  ti  jam  më  afër ajrit
Më afër frymës dhe  ujit  tënd
Më afër betejave dhe flamurit
Më  afër   dheut  dhe  atdheut!..
Këngë të jetës, këngë të luftës
Më mbani tani s´e po ju mbaj
Në shesh janë bijtë e Kosovës
Bijtë e Ilirisë së lashtë, bijtë e
Çamërisë,  labeatët  e  Ulqinit
Këtu kemi Janinë dhe Prevezën
këtu kemi Preshevën dhe Medvegjën…
Prishtina  sonte nuk ka gjumë
Ajo është e tëra në  sheshet  e
saj, populli ynë është atdhetar
Tokat e  tij  ai  nuk  di  ti  falë!..
Armik, kot qahesh për fitoren
tonë,  zullumi   këputet   prej
S´trashi, e  thotë  populli ynë
Se  ti  preke  atë  që  s´preket…
 
8
———————————–

 

Se ti shkele atë  që  s´shkilet
me forcë u bëre “zot” i tokave
tona, prandaj, këtu e këtej o
serb,  unë  do  të  jem  zot  i
tokave të  mia, dhe i  qiellit  tim
nën pushtetin tënd  o  armik
kur dhunonin një grua a vajzë
policët t´u gajaseshin tiiiiiiiiiiii!
armik, ti preke barkun  e butë të
grave   tona,  pikën   më   të
ndjeshme të  së  bukurës, s´e
zullumi këputet prej s´trashi,
populli ynë  nuk  e  thotë  kot 
Liria  është   e   të   gjithëve!..
Kosova  të   rënët  i  këndon
dhe e  ruan  kujtimin  për  ta
në himnin kuqezi  të këngës
Në  himini  kuqezi  të  luftës
në himnin kuqezi  të  fitores!..

9
—————————————–

Të tëra kohërave  gjak  u  dhamë
Në beteja të luftës e me të rënë
në Trojën e parë  Ilirinë e ndanë
në Trojën e dytë  Trojën e vranë
në Trojën e tretë  turqit  na  ranë
Të gjitha kohërav gjak u dhamë
të lirë të rrojmë  në  vendin tonë
gjak dhamë për tokë  e  për qiell
gjak dhamë që të  rrojmë të lirë!..
Të tëra kohërave  gjak u dhamë
që të jem vet zot të atdheut tonë
që diellit t´i themi mirëmëngjes
dhe lirisë t´i  themi  këtu të kem!…
 

Autor: Rrustem Geci

Shperndaje ne
Updated: 11 Mars, 2017 — 09:51

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.