TOKAT ÇAME NUK FALEN…NUK LEJON GJAKU I DERDHUR PËR LIRI

NË SHENJË PËRKUJTIMI PËR GJENOCIDIN E BËRË NGA SHTETI I GREQISË, MBI ÇAMËT DHE ÇAMËRINË
Sot po ju risjelli një Cikël me poezi për Çamërinë, përzgjedhur nga disa libra të autorit Kasam Shaqirvela

Ç A M Ë R I A

Gjithmonë të ndjekur
Ngahera të vrarë
Prej Andartësh
Dhe Fanariotësh
Të Idesë së Madhe
Që ngrihej lugat mbi dhe
Pllakosur kujë e gjëmë mbi ne
Në mëkate zhytur
Nga farë e jona,
Dhe laneti ngritur
Nga soji i huaj
Si Venizellos
Zografos dhe Zervas
Për Megaloidenë
E “Vorio Epiri” -it
Që zemra u plas….
Plot smirë e maraz
***
Vërshuan në Çamëri
Llava ujqish t`uritur
E hiena turinj ngjyer
Me gjak Çami të
Pafajshëm, përlyer
Nga masakra e kryer
në fëmijë, gra e pleq
Situata makabre
Të shekullit të ri
Kryer nga grekë meleq?!
Aty në Çamëri.
Oh! Paramithi?
Ç’pësove ti…!
Asaj nate pa hënë
Sa e sa trima çamë
Për lirinë tu vranë
Për vendin mëmë
Pa dallim feje
Ortodoksë-grekë
Apo turq-myslimanë
Sepse ishin të një gjaku
Madje të lindur nga
I njëjti At e Mëmë
Që kohët mi ndanë me:
Gjuhë, fe dhe n’tjera anë.
***
Po vallë shqiptari çu bë ?
A u shkri si bora ndër male
A u tret si kripa në det pa zë?!
Jo, jo?! -ai u nda në:
latinë, grekë dhe turq
Sipas feve që mori
Gjatë historisë, si dhe
Nga proceset e copëtimit,
E pastaj përvetësimit, të
Tokës së Nënë Shqiptarisë
Veç një fije i mbeti
Pa u shkëputur
Atëherë dhe sot
E lidhur për shpirti,
Për zemre e truri
Gjuha dhe gjuhë
Prapë mbeti ajo
Atje, këtu
Gruaja dhe burri
Gjithandej kudo
Lulëzoftë për mot!

Igumenicë – maj, 2005
©Kasam Shaqirvela

**
ATJE TE DODONA

Zënafillën e kam
I ngjizur nga vetja ime
Rrojtur me zulmë e nam
TËMIRËT e fares sime
Që kur thanë e thona
Atje ku ishte DODONA
Ku qe vendosur Froni
I Atit Perëndi
Të vjetër e të ri
Sot e lashtësi
Nga Zojsi i Joni
Që e lindi Kroni
E mbronte Froni
I bekuar nga i pari
Deri tek shqiptari
Për jetë e mot
Mos t’i ndalet karvani
Sa e ngrohë Ati Diell
Sepse e tij është pjellë.

**
LISAT PËRKUNDEN N’DJEPIN E KOHËS

Lisat përkunden n’djepin e kohës!
Ashtu siç përshkunden mendimet e rënda
A thua Nënat Çame mbërthyer para drojës?
Zemrat u janë mbushur nga dhembja e kënga

Djepat i bartin të gjyshëruara gjyshet
Ninullat i këndojnë me lotë lirie
Shpresa çanë malin atëherë kur grishet
Sonte n’Tetovë ka aromë Çamërie

Sofra Poetike ora 19,30
19/qershor /2005, Tetovë

**
A R V A N I T Ë T
(A r b a n i t ë t)

Arvanitët, Arbanitët
Ku i lamë e ku t`i gjejmë
Ku na i çuat, ku na i mbytët
Me shkëmbime dhe dëbime
Në tokën tonë, të huaj lemë
Në vend të huaj Atdhe blemë
Edhe të vrarë edhe të sharë
Të përbuzur dhe të përçarë
Për fat të keq dhe një paradoks
Nuk e di se kush mi pat ndarë
Në myslimanë dhe n’ortodoksë
Edhe ata mëdyshas ndarë
Mos më keq për t’i qarë
Lule tjera e njëjta farë
Ia lëmë kohës se çka do dalë
Verës akull e dimrit valë
Udhëve të botës gjith’ shpërndarë
***
Shpirt plagosur e ballë çarë
Si nga i veti si nga i huaji
Mëmë e Atë gjithnjë sharë
Varret e t’parëve pa lapidarë
Liri për atdheun e
Flamur për kombin
Në ëndërr parë
Me zemër të djegur
Me plagë të çarë
Pret e pret,
Çami i vërtetë
Bashkë me Arbanitin
Sot e mot për jetë
Shpresa nuk iu tret.

**
HERONjVE TË GREQISË
(arvanitëve dhe çamëve)

Shumë Zervas…
njohu Çamëria
që ia vranë e therën
me mijë bij e bija
e të mirat materiale
dhe pasurinë…
ia grabitën e plaçkitën
pastaj ua dogjën shtëpitë
i dëbuan nga vatrat shekullore
në rrëshqitje si t’ishin orteqe bore.
*
Por nga ana tjetër
veprimet e tij me shokë,
janë fytyra e vërtetë
e shtetit të Greqisë
por e tonës tokë…
e cila pavarësinë e vet
e fitoi me gjakun e derdhur
të çamëve dhe arvanitëve,
një popull autokton,
me një gjuhë e me dy fe,
i mbirë prej kohësh
në Thesprotinë e lashtë,
t’shtrirë deri në Akarnani
e që rranë për të vetin atdhe
por që u mohuan gjithmonë
jo vetëm nga të tjerët
por mbase edhe
nga ne të mjerët që,
si të huaj i pamë, e
asnjë fjalë të vetme,
në nivel shteti,
më nuk e thamë..?!

**
HIMARË E BUKUR

Himarë moj ç’të panë sytë…
Kur ne vdekjen e zbojmë me zor
E ngulën dhe kryqin junanlitë
Në shtetin shurdhmemec e qorr.

Himarë ti e bukura Himarë
Gjenin epirot e mban në gji
Sa trima si Xhavellët e Boçarë
Lotojnë ndër varre për ty…

Po ku jeni o suliotë
Burra trima plot me nam
S’po më ndalet i nxehti lot
Mëmë Shqipërinë ku e lamë.

Suliotë o suliotë…
Ju të famshmit stradiotë
Po ju dje e bëtë Greqinë
Që sot e prish Shqipërinë.

Amaneti i të parëve ushton
Nga varri Kostandini le të ngrihet
Doruntina e Arbrit fatin e vet e vajton
Epiri i Pirros “Shqipe”
Gjuhë e flamur të huaj nuk duron.

Himarë moj e bukura Himarë
Edhe gjaku i yt blu, i pastër si ar
A të rrjedh edhe sot nëpër damarë
Si dikur luftëtarve shqiptarë.

Himarë ti toka bujare…
Përse u ngre të huajve lapidarë?
Atyre që popullin, pas shpine ta prenë
Që ta ndërruan gjuhën, zakonet dhe fenë
Jo, mos e ndërro kurrë, të vjetrën me të renë!

Kryqin e ngritën aty, në ty Himarë?!
Edhe tani si në kohën e mesjetës
Duan të kryqëzojnë në të shqiptarë
Jo, nuk e japim ne! Nuk ndërrojmë lëkurë
Epiri është i joni për jetë të jetës.

**
JAM NGA ÇAMËRIA

Unë jam çam
e çam do të vdesë
jam betuar
në zotin tim
me besa-besë…
se, do të bëjmë bashkë
ty moj Çamëri …
e lashta e jona
ti, o Thesproti..!
neve në histori
s’e di sa herë
në prag shtëpie
o, na kanë therë!
me gjakun tonë
të kuq, tokën e lamë
po nga ty o nënë,
ne kurrë s’u ndamë
e sa herë barbarët
na lanë të vrarë
ne nuk ndërruam
as komb as farë
rrojtëm me besa-besë
tek zoti ynë …
patëm një shpresë
në vatrën time
zjarrin ta ndezë
nga brezi n’brez
unë isha çam…
e çam do të mbesë!

**
METEORI ARVANIT
(Aristidh Kolës)

Dhe lulja e vazos sime
Tha, Meteori Arvanit,
Ec e rritet, synon dritaren,
Andej nga vin drita e diellit
Ajo e kërkon frymëmarrjen

Dhe drita e meteorit shuhet
Kur ai i harkon qiellit
Por vraga që lë pas vetes
Bën dritë si ajo e diellit

Dhe rrugës së tij ngjitet
Nga vetja ndriçuar për liri
Shpejton meteori digjet
Drejt rrënjës së vet n’Arbëri

Sakrifica sublime bëhet
Kur njeriu bëhet Atdhe
Shpirti i palohet n’alltar
Atje do prehet i qetë do fle.

**
NË DJEP TË KUJTIMEVE
( Ç a m ë r i s ë )

Një Djep e kam dhe në at’ qaj
Djepin e kujtimeve nga vetja se ndaj
Lidhur për shpirti fortë e mbaj
Në të përkundem deri sa s’shkundem
Qofsha në gëzim apo në vaj
*
Veçse ai lot i nxehtë shkul
Derdhur faqeve t’Botës përplot
Rrëfen dhimbjen që mu ka ngul
Për tokën time lënur nga mot
Ku varret e t’parëve n’perëndim
Pa ndal m’thirrin për një takim
E un s’po mundem me u dalun zot
Nga sfida emri që m’dalin sot, as
S’mund me e prekun truallin tim
N’shenjë kujtimi me u lexu këndim
*
Nga nostalgjia që kam në mërgim
Un’, veç po e ndrydh trunin tim
Plakem së largu, n’kujtim i thinjur
Me fijen e shpresës lidhun për Uni
Mos me u shkëput nga Gjeni im
Tokës a Detit Djepin e përkundi
Për ditë ma t’mira me u pa n’gëzim
*
Fort po m’buçet zemra ime sot
N’gjak t’Arbnit që i shkon n’vlim
Seç ma ushqen trunin tim o zot?!
Me t’bëmat e lashta t’popullit tim
Që m’i lanë t’parët në trashëgim
Amanet për zgjimin tonë
Ngado ku frymojmë neve sot,
Sot o kurrë sa s’asht ba vonë!

*
ÇAMËRI, ti Tokë Thesprote!
Shekuj varg në lot e n’gjak
Mbete n’gra e në ndoj plak
Dhe n’do t’mi në konvertim
Rreth e përqark të sojit tim
Ngrën’ e sosur veten n’dëshpërim
Nga shfarosjet me gjithë dëbim
Ndonse fëmija tu përgjak
Për Liri kur dhe kushtrim
U tundën: i ri edhe plak
Por, bota qe shurdhmemece!
As nuk pa, e as u zu n’lak
Padrejtësia që Ty tu bë
Evropën plakë s’e bëri merak
*
Siç po i ngjet por edhe sot
Bash si ty dhe motrës jote
Nuset i marrin pa dullak
Dardani i thënçin për mote
Mollën e kuqe e mban n’bajrak
Me një gluhë e me një resë
Përcjellë nga brezi n’brez
Bashkë llafosin me besa-besë
I njëjti gjak damarët ua ndez
*
Ah, veçse loti i nxehtë shkul!
Po m’sjellë n’mend atje ku jam
Australi, Amerikë apo gjëkund
Kudo qofsha, me tu përkul
Nga ëndrra t’trishta me u shkund
Djepin e kujtimeve me e tund
Se s’po muj me dorë me t’prek
As nuk m’lënë në ty me hi
Ajrin tënd me e fut n’mushkëni
Ujin tënd n’burim me e pi, kët’
Dhimbjen time për me e shkul
Se mos vdeksha pa t’pa me sy
Por tu gëzofsha n’Tate Liri
ÇAMËRI moj ÇAMËRI
Se ku vete, se ku gdhi
Emri jot plot nostalgji
Mi mba hapur vesh e sy…!
Po, rroj gjallë veç për Ty…!
Sa me ta festue njat Liri….!
Dhe në vdeksha unë ndokund
Veç një brengë me vete do marr
Si flamur t’më rri mbi varr
Shpirti im le të vijë tek TY
Edhe një herë le ta përkund
Djepi yt moj ÇAMËRI…!
16, maj, 2007
Janinë, ÇAMËRI

**
MOJ E LAShTA ThESPROTI

Një fundjavë në Paramithi
Çmë ra ndërmend të shkoj të rri
Aty mes bustesh e përmendoresh
Pa kurora,pa hije dekoresh
Për dëshmorët, për burrat tanë
Që për një liri tjetër ranë..?!
Paramithi, maj 2015
**
TOKËS ÇAME

Eh, moj plagë sa po më djeg,
Paramithi e Filat kur m’i prek!
Toka Çame e larë në gjak
Ti drejtësinë e ke hak!

Edhe sa kohë do t’shtrembërohet historia
Edhe sa kohë do të vuajë Çamëria
Gjenocidi përse nuk po ndeshkohet
Padrejtesia përse s’po korrigjohet!

Thesprotia po dënes pa zë
Evropa dramën mbi ne e ka bë
Tani është koha të vetëdijsohet
Shpirti nga krimi t’i lirohet!

Sepse edhe çami ndonëse pret
Për Liri pareshtur shpirti i thërret
Për liri i digjet edhe zemra
Ah Akil, seç tu qëllua thembra!

——
***
© Kasam ShAQIRVELA

Shperndaje ne
Updated: 8 Korrik, 2022 — 18:19

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.