Hapat e Bashkimit Kombëtar!!!

sajmiri_shqiperia01

Shqipëria, vendi i Shqipeve,bijve të Shqiponjave,me malet e saj të fortë e të patundur, me luginat, bjeshkët, fushat, lumenjtë, detet e liqenet gjendet e ndarë,e prerë në disa pjesë vetëm për të ngopur kënaqësitë e orekset e fqinjëve tanë të ardhur.Shqipëria,vendi i Pellazgëve,i Ilirëve,i Arbërve është shpërfytyruar e po vazhdon të shpërfytyrohet nga viti në vit,muaji në muaj,dita në ditë e ora në orë!

Por pse?

Çfar ndodhi?

Apo çfar duhet të bëjmë që ta rikthejmë atdheun e popullin në rrënjët e tij,në lavdinë e tij të dikurshme që çdokush e kishte zili,që çdokush ka folur e shkruar për të… Shohim Republikën e Kosovës, një lodër në duart e fuqive të mëdha, që luhet sipas interesave të tyre, e vënë me shpatulla pas murit për të pranuar një “shtet” serb brenda territorit të saj, gjithashtu dhe faljen e disa miljeve tokë në favor të malit të zi.

A duhet të flasim për Preshevën?

Diskriminimin që i bëhet çdo ditë Shqiptarëve,apo për malin e zi që po përdhos Kombin tonë me shkrimet e “akademikëve” të tij,e ish republika jugosllave e maqedonisë?

Modernizim i tepruar dhe i rremë i Shkupit “sllav” e lënjen në terr pjesën e mbetur të Shkupit të Shqiptarëve për të dhënë përshtypjen në sytë e botës se ata janë autoktonë,ndërsa ne të ardhur.A mund të harrojmë Çamërinë,një plagë që ende rrjedh gjak, një plagë që do mund të shërohet vetëm kur Shqiptarët të kthehen në trojet e tyre shekullorë e të flasin lirisht gjuhën mëmë, dhe shteti grek të kerkojë falje për gjenocidin e shkaktuar vite më parë ndaj Shqiptarëve.

Me globalizimin e botës,shoqërisë njerëzore,me emigrimet e shumta,integrimi në shoqërinë e vendit ku emigrojnë Shqiptarët dhe sjellja e kulturës apo elementëve kulturorë,socialë,etikë të atij vendi(ku kanë emigruar) në vendin tonë kanë sjellë humbjen e shumë vlerave që të parët tanë i kanë mbartur për shekuj e i kanë ruajtur me fanatizëm.Po mundohem të prek vetëm anët negative që kanë sjellë këto ndryshime,por normalisht si çdo gjë ka dhe anë të mira.Duke u përshtatur më tepër me perëndimin apo lindjen,duke u munduar të jemi si to,dashje pa dashje po harrojmë cilët ishim,po vetshkatërrojmë një bazë idealesh, principesh e vlerash morale që janë dashur shekuj të bëhen baza e kulturës sonë…

A thua ka më Besë si më parë,mikpritje,guxim,dëshirë për liri,për të folur pa frikë gjuhën mëmë,për të thënë një të vërtetë të mohuar e të pashkruar në libra shkollorë,në enciklopedi akademike etj.

A thua ka më nder,trimëri e forcë për të kundërshtuar nënshtrimin,tjetërsimin në diçka që s’kemi qenë,nuk jemi e s’do të jemi kurrë.

A duhet të vazhdojmë të jetojmë kështu?

Jo vetëm ne,por të ushqejmë dhe brezat e rinj me këtë mënyrë jetese,ti japim këtë shembull të cilin po jetojmë sot,apo të mundohemi të bëjmë diçka për ta ndryshuar?

Pikë së pari i gjithë populli Shqiptar duhet të pranojë pjesën më të madhe të fajit,pse Kombi ynë ka mbërritur deri në këtë pikë,ku gati po fundoset.Mjaft më me vendosjen e gishtit tek të tjerët,faji është mbi ne,ne jemi ata që kemi duruar gjithçka,edhe atëherë kur lakun na e kanë vënë në fyt s’kemi bërë zë,por kemi qëndruar të heshtur me sytë nga qielli se do bëhet më mirë.

Na kanë qëlluar në një faqe,u kemi kthyer tjetrën, e në fund sërish kemi fajësuar të tjerët. Shumë po merren me politikën,duke fajësuar si të majtë e të djathtë,pa lënë mënjanë dhe qendrën,por gabojnë,ata politikanë dikur ishin si ne,popull,dolën nga ne,u zgjodhën nga ne,e ata gjetën e bënë,ne sërish të urtë,pa reaguar,i lamë të bëjnë si të duan,pasi kemi frikë.Kemi frikë se mos na largojnë ndonjë të afërm nga puna,kemi frikë se mos na pengojnë në shkollimin e fëmijëve etj.

E gjitha kjo vjen nga një padituri e jona,mendojmë se pushtetin e kanë ata,politikanët,por gabohemi rëndë,pushteti është i tëri në duart tona,në duart e popullit,por për të ushtruar këtë pushtet duhet të jemi një,veri e jug,të majtë e të djathtë,i madh e i vogël,për një ideal,për një jetë më të mirë për fëmijët tanë e ata që do vijnë pas tyre.

Pa Bashkim Kombëtar s’do të ketë as bashkim idesh e as bashkim popullor për të ushtruar atë pushtet për të cilin fola më lart.

Por si mund të arrijmë Bashkimin Kombëtar,ëndrrën e të parëve tanë,të cilët(pjesa më e madhe) ranë heroikisht për këtë ideal.Bashkim Kombëtar nuk do të thotë bashkimi i trojeve Shqiptare të ndara padrejtësisht ndër vite,ai është hapi i fundit,qershia mbi tortë.Në fillim duhet të mblidhemi si popull Shqiptar rreth një ideali,një flamuri kuq e zi,si vëllezër e motra të një gjaku e një gjuhe,të ushtrojmë pushtetin tonë për të zgjedhur një brez të ri politike që ka për bazë idealet e principet e të parëve tanë,idealet e principet tona.

Kjo s’do të jetë e lehtë,nëse gabojmë në të zgjedhurin e tyre sërish mund të ushtrojmë pushtetin tonë e t’i dëbojmë ashtu siç i sollëm në pushtet,e në çastin kur brezi i politikbërjes sonë do të jetë ai i duhuri,vëmendja kryesore duhet të jetë arsimi.

Rritja e një brezi mësimdhënës të aftë,të dashur, që ta bëjnë punën e tyre plot dashuri e përkujdesje,gjithmonë bazuar në bazën tonë të idealeve e principeve, t’i ushqejë në banka shkollore brezave të rinj dashurinë për atdhe,për liri,për ideal, për principe etj. Duhet të mbahemi fort pas arsimit e dijes,vetëm kështu do mund të ndërgjegjësojmë popullin tonë të përgjumur e të heshtur.

Duhet të fillojmë me binjakëzimet e qyteteve Shqiptare jashtë e brenda kufirit të Shqipërisë Londineze,të zhvillohen ekskursione të përbashkëta mes Shkupit e Vlorës, Shkodrës e Mitrovicës,Janinës e Tuzit, Preshevës e Tetovës e kështu me rradhë.Duhet të vendoset një numër i caktuar(i detyruar) nxënësish që mbarojnë shkollën e mesme në Shqipërinë Londineze,të studiojnë të lartën në Prishtinë,Shkup apo Tetovë e Shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze të studiojnë në Tiranë,Shkodër,Elbasan etj. Me këtë ndërthurje afrohemi, por dhe dashurohemi me plot kuptimin e fjalës. A ka më mirë që një vajzë Shkupiane të bëhet nuse në Shkodër,apo një vajzë Tirane nuse në Janinë? Te zhvillohen aktivitete të përbashkëta,gjithashtu duhet të financojmë e të mbështesim kërkimet shkencore mbi historinë tonë,që nga Pellazgët e deri më sot,të shkruhen në libra shkollorë e akademikë jo vetëm në Shqip, por dhe në gjuhë të huaja.

Festat popullore pagane të jenë ditë e festa që duhet t’i festojmë të gjithë Shqiptarët pa dallim feje,të rikthehemi në rrënjët tona.Detyrë të madhe e fisnike do kenë dhe nënat Shqiptare,ato qe na rrisin gjitmonë me mundime, duke i ushqyer fëmijës që në djep dashurinë për atdhe,respektin për më të madhin,kulturën e mirë e finsike Shqiptare, për të mos ndotur vendin ku jeton,për të mbrojtur më të dobëtin etj.

Me ninullat e famshme Shqiptare,me legjendat(rapsoditë,bëmat e heronjve tanë etj) e gjyshërve duhet t’i marrë gjumi fëmijët Shqiptarë,me populloren,me traditën.Këto do jenë bazat e Bashkimit tonë,e më pas dalë ngadalë mund të krijojmë një treg të përbashkët,me një monedhë të përbashkët,Lekun Shqiptar,hapjen e plotë të “kufijve” imagjinarë që na ndajnë,zhdukjen e paragjykimeve që kemi për njëri-tjetrin,dhe mospasjen e kësaj frike për të reaguar e për të vetvendosur për fatin tonë.

Ne ende jemi ata, bijtë e Shqipes, zbritur nga malet e ashpër,që pushtuam botën me Lekën e Madh,bëmë Romën të dridhej me Pirron,e mbrojtëm qytetërimin Europian me Gjergj Kastriotin.

Ende thellë thellë jemi po të njëjtët,bijtë e baces Adem,trimat e Ded Gjo’ Lulit,vëllezërit e Komandant Telit e bashkëluftëtarët e Çerçiz Topullit! Mblidhemi e reagojmë sa nuk është vonë,në një lëvizje mbarë popullore a një organizatë jo fitimprurëse,diku ku të jetë,por me bazën e idealeve e principeve të forta siç e kishin të parët tanë, gjithmonë të ndërgjegjshëm se kush ishim e kush jemi, bijtë e Shqipeve!

Shperndaje ne

The Author

Sajmir Ndrecaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.