Përshëndetje stafi i faqes së shoqatës “Illyria”!
Ju uroj per vepren Tuaj fisnike.
Faleminderit per botimin e kaluar!
VAJZE SHQIPTARE
Shkëlqe ti, vajzë shqiptare,
Shigjetë dhe jatagan
Para të huajit shkon krenare
Nga mëndja ai s’të ndan;
Dy sytë e tu e trembin
Aman, kur e shikojnë
Sikur dy shigjeta hedhin
Dhe zemrën ia qëllojnë…
LIQENI I BUTRINTIT
Një mjelmë mbi liqen
Në ujërat e kaltra-
Një gëzim i zambaktë
Në mbrëmjet e paqta;
Qyteti ynë antik
Vozit dalëngadalë
Si një gondolë-lule
Ndër shekuj në kanal*…
* Kanali i Butrintit
VAJZAT ÇAME
Gjeshtër e lulëzuar buzë lumit duket
Shtati juaj i hedhur, vajza të Çamërisë
Në ujrat e gjolit nga zilia zanat futen
Kur në sy ju ndizet shkëndi e dashurisë;
Buzëqeshja juaj, e freskët e kristaltë
Me gurgullima krojesh djelmoshave u ngjan;
Borë e pastër duart, të bardha zambak,
Dy buzët kur puthin, të ëmbëla koralë;
Një notë hyjnore puthja juaj e kulluar
Ajo të magjeps, të deh ajo aq shumë
Sytë tuaj të ndezur-dy yje flakëruar
Në dashuritë tuaja dikur humbisja unë;
Si gjeshtër që jepet nga era buzë lumit
Në valle dridheni, belhollat vajza came,
Djemëve që joshen nga shikimet, parfumet
Fresk e tufane u bëni me çitjane…
DO TE NGREJ NE KRAH
Nga shtëpizë e vjetër
S’po ngroh më zjarr i nënës,
Mbi çatinë me rrasa
Përthyhet dritë e hënës,
Vjen e zbetë tek unë
Rezja në dritare
Vetmia, thotë zëmekur,
E treti nënën fare.
Pranë vatrës nëna
Kruset e mërdhinë.
I nis mallin e thekur
Gëzof t’ia vesh shtëpinë;
Oh, puthmë, moj nëna ime,
Në ëndërr dhe në gjumë,
Në gushë e faqe puthja-
Dallgë e bardhë shkumë;
Ke parë, ti, luzma bletësh
Mbledhur degës në pyll,
Ashtu i ndjej unë netësh
Sytë kur i mbyll;
Ah, moj nënë, nënë!
Së shpejti mbrij atje
Do të ngrej në krahë
Si era grurin ngre!